TIRANË, 20 Qershor /ATSH- I. Vata/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat ditën e premten, bëri përgjegjës kreun e parlamentit për degradimin që Rama u ka bërë seancave plenare.
Paloka tha se "Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vuri edhe sot maskën e tij të hipokritit, duke u tallur me një çështje shumë të mprehtë të parlamentarizmit në vend, siç është përjashtimi i Sali Berishës. Ilir Meta është në pozicionin që duhet të reflektojë thellë për përgjegjësitë e tij në këto kohë kur Kuvendi dhe salla e seancave plenare, janë ndotur më shumë se asnjëherë nga kryeministri i vendit".
Nuk është një drekë njalash, që mund të bësh gallatë, tha Paloka, "por është përgjegjësi direkte e Ilir Metës përjashtimi i denoncuesit, i lajmësit. Eshtë përgjegjësi direkte e Ilir Metës rrahja e shpatullave të deputetëve dhunues dhe ndëshkimi i deputetit të dhunuar.Në parlamentin që drejtohet nga Ilir Meta, kryeministri i vendit ka kërcënuar publikisht opozitën".
"Kjo hipokrizi është një maskë që mund t'i shkojë Ilir Metës, por jo kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, duke e bërë këtë institucion qesharak dhe të papërgjegjshëm", ka theksuar Paloka. /a.ke/