PD: Maxhoranca refuzon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thellon paligjshmërinë

 
TIRANË, 18 Qershor /ATSH- I. Vata/-Deputetit i PD-së, Eduart Halimi, në një deklaratë sot për mediat i kërkoi Kryetarit të Kuvendit të fusë menjëherë në rendin e ditës, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për serverin e tatimeve, pasi është një e drejtë kushtetuese e opozitës.
Prej më shumë se dy javësh, tha Halimi "maxhoranca refuzon ekzekutimin e  vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me skandalin e vjedhjes së të dhënave tatimore. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132 të Kushtetutës , janë të detyrueshme për gjithkënd, dhe të gjithë janë të detyruar t'i zbatojnë ato menjëherë, dhe pa vonesa, qoftë Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, dhe çdo qytetar i vendit".
Po ashtu, Halimi citoi se "Gjykata Kushtetuese, me datë 16 maj, në mënyre unanime, shpalli si delikt kushtetutes, refuzimin që mazhoranca i bëri opozitës për transparencën e ngjarjes së serverit të tatimeve, për fshehjen nga përgjegjësia direkte e Kryeministrit të vendit që urdhëroi vjedhjen natën të të dhënave tatimore".
Partia Demokratike, priti që mazhoranca të reagonte ndaj deliktit kushtetutes, tha Halimi "Priti që Kryetari i Kuvendit të zbatonte vetë Kushtetutën e vendit, duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetutese, por pas heshtjes së plotë, me 3 qershor, Partia Demokratike iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me kërkesën publike dhe të shkruar për ekzekutimin e ketij vendimi, ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor, tha Halimi.
Halimi e ka konsideruar moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushetutese nga maxhoranca si arrogancë,  duke e akuzuar qeveria, Kuvendi se janë kapur nga krim kushtetues dhe vazhdojnë në rrugën e antiligjit dhe antikushtetushmërisë, duke treguar para qytetarëve se sa i madh është zullumi  që eshte kryer natën në serverin e tatimeve.
Partia Demokratike nuk do të tërhiqet, tha Halimi, "ne do të bëjmë gjithçka që Kushtetuta të zbatohet, që e vërteta e vjedhjes së të dhënave tatimore të dalë në dritë të diellit. Ndaj dhe i kërkojmë edhe njëherë Kryetarit të Kuvendit që menjehere të përfshije në rendin e ditës nesër, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese"./a.g/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)