Tiranë - Partia Demokratike ka mbyllur në Tiranë fushatën elektorale në një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza”. Mitingu përmbyllës ka nisur me këngë dhe fjalime nga depuetë dhe demokratë. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje të gjithë studentëve, burrave e grave të bashkohen në 23 qershor për të votuar numrin 44 dhe katër vitet që vijnë të liberalizojnë vizat me shtetin e lirisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha e ka cilësuar numrin 44 si numrin e bekuar të jetës së tij, por besimin më të madh faktin se zoti i dha mundësinë të jetë shërbëtori i palëkundur i shqiptarëve. Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi faktin në mandatin tjetër do të krijohen dhjetra e mijëra vende pune dhe do të bëjë çdo gjë për karrierën e qytetarëve shqiptarë, duke siguruar biznesmenët se liritë ekonomike do të vazhdojnë të jetë të ulëta.

ORA 20: 50 SALI BERISHA: TË LIBERALIZOJMË VIZAT ME SHTETIN E LIRISË, ME SHBA-NË

"Mirënjohje të gjithë qytetarëve nga Gjirokastra, Vlora, Fieri Berati, Elbasani, Durrësi, Lezha, Shkodra, Peshkopia, Kukësi, qaret, kudo që jeni përshëndetjet më vëllazërore. Populli i vendit tim, uragani i fitores sonë më gjigand se kurrë në sheshin e Tiranës, është uragani i dashurisë, i respektit për çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet politike. Është uragani i shpresës, i besimit te njëri - tjetri dhe tek e ardhmja. Fshatra dhe qytete të zhvilluara, qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë, ora e madhe po afron. Le të bashkohemi ne, gra dhe burra, vajza dhe djem që i besojnë vetes dhe Shqipërisë se me punën dhe me djersën tonë do ecim përpara drejt integrimit dhe Europës. Në të katërt anët e Shqipërisë do të ndërtojmë çdo shkollë që ka mbetur pa ndërtuar, do të ndërtojmë terrene sportive. Nëna, motra, vajza dhe gra shqiptare ju që keni qenë gjithmonë mbështetja kryesore e demokracisë, dinjiteti juaj është dinjiteti ynë. Së bashku do të bëjmë betejën më të madhe, betejën kundër murit të patriarkisë, do të luftojmë si njerëz të lirë. Kemi arritur progres gjatë këtyre viteve, por progres më i madh është i domosdoshëm për të bërë çdo gjë për karrierën tuaj. Biznesmë të Shqipërisë, pavarësisht bindjeve tuaja, në 23 qershor bashkohuni me ne. Gra dhe burra të mençur, bizneset tuaja i rritët ju sepse patët dhe do të keni liritë ekonomike më të ulëta. Katërvjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjecari i parteritetit më të madh. Do të krijohen dhjetra mijëra vende pune. Studentë, burra, gra, të moshuar, shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, ju bëj thirrje të bashkoheni me ne në rrugën tonë, drejt të ardhmes Europiane. Le të bashkohemi së bashku të marrim statusin e vendit kandidat. Së bashku katër vitet që vijnë të bëjmë çdo reformë për të liberalizuar vizat me shetetin e lirisë, me SHBA. Të bashkohemi të gjithë me shpresë tek e ardhmja që e gjeta tek të katërt anët e Shqipërisë. Të bashkohemi me numrin 44, me numrin e bekuar. 44 është numri i bekuar i jetës sime, por bekimin më të madh e konsideroj faktin se zoti dhe 44 më dhanë mundësinë mua të jem shërbëtori juaj besnik, i përvuajtur, i palëkundur. Zoti e bekoftë vullnetin tuaj të datës 23 qershor", përfundoi kreu i qeverisë, Berisha

ORA 20:42 SOKOL OLLDASHI: NË 23 QERSHOR DO TË KORRIM VOTA ME NUMRIN 44
 
"Miqtë e mi, kam takuar fermërë që mbjellin  grurë, kam takuar që mbjellin ullinj. Ata janë me ne sepse ne jemi me ata. Ata do të korrin në 23 qershor vota me numrin 44. Ai fotorino i autobisit u lodh. Sot e ka lënë autobusin dhe ka hipur në helikopter, por le të kalojë njëherë këtu sipër në këtë shesh. Në këtë shesh të mbushur plot është fitorja", u shpreh Olldashi.

ORA 20:40 RIDVAN BODE: TË SHKOJMË PËRPARA PËR NJË TË ARDHME MË TË SIGURT
 
"Ju sjell entuziazmin e fitores së madhe nga Korça, Pogradeci, Kolonja e kudo. Mijëra qytetarë që kam takuar më KANË treguar entuziazmin nga ndryshimet e bëra. Ndihen më të sigurt nga taksat tona dhe mbështetja jonë e granteve tona dhe ndihen të kërcënuar nga rritja progressive e taksave progresive të palës tjetër. Prandaj motra dhe vëllezër të votojmë 44 për Korçën, për Devollin, për Pogradecin. Të votojmë Sali Berishën, të shkojmë përpara për një të ardhme më të sigurt", tha Ridvan Bode.

ORA 20:20 ASTRIT PATOZI: FITORJA DO TË FILLOJË NGA VLORA
 
“Unë sapo vij nga Vlora, por ju jeni aq shumë saqe e kam të vështirë të mbaj emocionet. Nga ky shesh i përmbushur duket qartë që e kemi të sigurrt fitoren në 23 qershor. Unë jam këtu për të garantuar se Vlora do të votojë PD dhe fitorja do të fillojë nga Vlora. Ata kanë vendosur të votojnë Sali Berishën. Sepse Shqipëria është vend më i ndriçuar dhe dinjitoz në tetë vitet e qeverisjes tonë. Në mandatin tjetër do të bëjmë më shumë për Vlorën Europiane, për Shqipërinë Europiane. Nga ky shesh kam privilegjin të ftoj të gjithë demokratët, të gjithë qytetarët pa parti, por edhe socialistët e zhgënjyer nga PS të votojnë Partinë Demokratike”, tha kryetari i grupit Parlametar të PD, Astrit Patozi.

ORA 20:00 LULZIM BASHA: KEMI NEVOJË TË ECIM PËRPRA

“Tirana po ecën dhe po zhvillohet çdo ditë, por ne kemi nevojë të vazhdojmë përpara dhe për këtë na duhet Sali Berisha. Ne kemi një vend qytetarët e të cilit lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Por, pa mbështetjen e Sali Berishë dhe PD nuk do t’ia kishim arritur. Shqipëria ka sot lidershipin që i duhet. Shqiptarët kanë sot Sali Berishën. Falë këtij lidershpi qytetarët shqiptarë e përjetojnë ndryshimin kudo. Së bashku të dielën do të ecim përpara për më shumë ndryshim. Ju ftoj sot nga ky shesh i mbushur më shumë se kurrë më parë, të ecim përpara për Tiranën moderne dhe Europiane”, tha Basha në fjalën e tij.


Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)