TIRANË - Sot kreu i PD, Lulzim Basha ka pritur në zyrën e tij partiake kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi me të cilin siç thotë Basha “kemi një bashkëpunim dhe një dialog të kahershëm”.
 
Siç bën të ditur njoftimi i PD, takimi është kryer me kërkesë të Thaçit, pasi ky i fundit kishte shumë dëshirë të uronte Bashën për postin e ri në krye të PD.
 
Dy liderët kanë biseduar mbi një sërë çështjesh, që të kanë të bëjnë me opozitën si në Shqipëri dhe në Maqedoni. “E kam informuar mbi zhvillimet në vend dhe kam marrë prej tij një informacion të detajuar të problemeve dhe sfidave dhe zhvillimeve në Maqedoni”, shprehet Basha.
 
Më tej deklarat vijon të theksojë se "Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur dhe e fuqishme e avancimit të të drejtave të komunitetit shteformues të shqiptarëve të Maqedonisë duke kërkuar me vendosmëri zbatimin pa vonesë dhe në mënyrë të plotë të të gjitha parashikimeve të marrëveshjes së Ohrit".
 
"Çmoj në këtë kuadër qëndrimet e Partisë Demokratike Shqiptare dhe të kryetarit Menduh Thaçi në avancimin e këtyre qëllimeve të përbashkëta”, theksoi Basha.
 
Menduh Thaçi nga ana e tij ka theksuar se “për popujt e civilizuar dhe shtetet e zhvilluara opozita është më e rëndësishme se pushteti për shkak se opozita mban nën vete pushtetin moral, është një kontrollues i madh i qeverisjes për të mos ndodhur abuzime”.
 
"Biseduam për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni por realisht në të njëjtën kohë biseduam edhe për aspekte politike të Shqipërisë", theksoi Thaçi, duke shtuar se për shqiptarët e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme situata politike në Shqipëri për shkak se sa më tepër që të zhvillohet një kohezion i fuqishëm dhe funksionalizim i institucioneve të shtetit, ne ndihemi më mirë dhe më të fuqishëm, dhe e kundërta".
 
Përsa i përket Maqedonisë, Menduh Thaçi ka shtuar se "ballafaqohemi me një situatë të rëndë të bllokimit të proceseve integruese që paraqet një pengesë serioze të integrimit të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për t'i shkelur të gjitha marrëveshjet, qofshin të brendshme apo ndërkombëtare që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve" .
 
"Ndihemi bashkërisht të bashkëpunojmë në të ardhmen vetëm për të mirën e njerëzve dhe për të keqen e askujt. Dhe ky takim po ashtu duhet të kuptohet nga të gjithë, pa marrë parasysh ky gjendem dhe çka përfaqësoj se është një takim i dëshirave të mira dhe sukseseve të të gjithë shqiptarëve", theksoi Menduh Thaçi.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)