TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike Florion Mima akuzon kryeministrin Edi Rama se po e nxin imazhin e doganave shqiptare, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe.
 
Sipas Mimës, që në vitin 2005 kur demokratët kanë ardhur në pushtet kanë bërë mjaft ndryshime pozitive jo vetëm në infrastukturë dhe në bazën e të dhënave, por në të gjitha drejtimet.

“Porositini sejamenët tuaj, të mos bëjnë gabimin e rradhës, ashtu si me serverin e tatimeve”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike, ish ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Florjon Mima sot para para medias.
 
Mima ka reaguar pas fyerjes, që i ka bërë sipas tij, kryeministri Edi Rama shërbimit doganor shqiptar, pas vizitës që ky i fundit ka bërë në doganën e Hanit të Hotit dhe të Durrësit.

Ai tha mes të tjerash se “doganat në vitin 2005 ishin në gjendje të mjerë, ndërsa sot ka dogana të reja në Muriqan, Qafë-Botë, Tiranë, ka rindërtim të drejtorive doganore dhe rindërtim të të gjithë pikave doganore, sipas projektit nga BE”.

Në 2005-n, sipas tij, doganat ishin vendi ku doganierët shkonin me thesë me para, ndërsa sot kërkesat e veprimet në dogana kryhen online.

Por, “teknikët, specialistët e doganave janë flakur në rrugë, për t’i lenë vendin militantëve dhe Freshistëve të zotit Rama. Doganat nuk janë zyrat e palyera, karriget e ndryshkura etj., që nxituat t'i nxirrnit në kamera”, vërjeti Mima.

“Meqë jemi te të dhënat doganore, ju keni përvojën e të dhënave të serverit të tatimeve. Porositini sejamenët tuaj të mos bëjnë gabimin e rradhës”, përfundoi Mima.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)