Partia Demokratike mblodhi sot Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, të cilët vendosën për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Pak para nisjes së mbledhjes së strukturave të larta, PD zbardh emrat e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputet, të cilët do të bëjnë vlerësimin dhe shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga anëtarët e PD-së në të gjithë vendin si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Bujar Nishani, Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Enriketa Papa dhe Mark Marku janë 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Konkretisht:

1. Bujar Nishani,Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ish-President i Republikës, ish-ministër dhe ish-deputet.

2. Besnik Mustafaj, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur.

3. Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, ekonomist dhe pedagog i njohur.

4. Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës, historiane, shkrimtare dhe studiuese. Master në Histori dhe PhD në Histori Bashkëkohore dhe Histori të Evropës Jug-Lindore në Universitetin e Graz në Austri. Aktualisht është edhe anëtare e Bordit të Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

5. Mark Marku, analist, pedagog në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Gazetarisë. Master në Institutin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit (IRCOM), Anger, Francë dhe doktoraturën në shkencat e informacionit dhe komunikimit në Universitetin Paris 2, Francë. Ish-deputet i PD.

Komisioni i Vlerësimit të Kandatëve do të asistohet edhe nga Sekretariati ndihmës i përbërë nga dy persona Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.

Sipas Partisë Demokratike, Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike.

PD thekson se "Komisioni i Vlerësimit do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë dhe ëstë një modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore".

Faza e propozimit të kandidatëve nga degët e partive në rrethe ka zgjatur për 6 javë dhe do të jetë pikërisht ky komision që do të bëjë vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret për të qenë kandidat për deputet. Emrat që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.