Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” Muharem Rama përgënjeshtron lajmin e bërë publik nga Partia Demokratike për gjoja largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste.

Në një deklaratë për mediat, shtabi i kandidatit të majtë e cilëson si të shëmtuar shfaqjen e PD me njerëz të importuar jashtë Dibrës me qëllim për të manipuluar qytetarët.

"Përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral", thuhet në deklaratën e PS Dibër

Më heret PD deklaroi se rreth 200 socialistë dibrane kanë vendosur t’i bashkohen sot PD

Deklarata e Shtabit Elektoral të Muharem Ramës

"Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” z.Muharem Rama përgënjeshtron lajmin e bërë publik nga Partia Demokratike për gjoja largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste. Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit. Përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral. Përkundrazi, edhe fushata elektorale e ka provuar se kandidatura e doktor Muharem Ramës arrin të sigurojë mbështetje nga e majta dhe e djathta. Fakt që do të provohet nga vota e kësaj fundjave. Qytetarët e Dibrës e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për të votuar masivisht në 11 Shtator për kandidaturën e doktor Muharem Ramës"


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com