PD: Në 2014 Rama të zërë mend
për tritolin që po vë drejt BE-së

PD: Në 2014 Rama të zërë mend<br />për tritolin që po vë drejt BE-së
TIRANË - Reagon Partia Demokratike mbi mbylljen e këtij viti, duke bërë kritikat e urimet e saj për qeverinë Rama, e duke marrë shkas dhe nga dalja e fundit publike e Edi Ramës sot me gazetarët.

"Kryeministri Edi Rama nuk njohu as sot, në show-n televiziv të fundvitit, përgjegjësinë e tij  për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si një prej dështimeve kryesore të qeverisë dhe qeverisjes së tij", nisi deklaratën koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi.

"Ai tregoi se nga një vesh i kanë hyrë, dhe nga veshi tjetër i kanë dalë shpjegimet replikuese të shumë kryeministrave dhe politikanëve të shquar të vendeve europiane, se statusi i Shqipërisë nuk është shtyrë nga ekstremistët antizgjerim të BE-së, por qeverisë shqiptare i është dhënë kohë të dëshmojë me prova, se është për shtetin ligjor dhe jo kundër tij".

Sipas PD, qeverisë i është dhënë kohë të reflektojë mbi praktikat antidemokratike e antishtet dhe të korrigjohet në përputhje me standardet europiane. "Kryeministri ynë, ose nuk e kupton gjuhën e Europës, ose e kupton dhe ka dëshirë ta sfidojë, ose nuk dëgjon e nuk lexon më çfarë thonë europianet për qeverisjen e tij. Përndryshe nuk do të vazhdonte me avazin e vjetër se fajin për statusin e paska Europa,  euroskeptikët. Madje sot ai shkoi më larg në megalomaninë e tij duke vënë në dyshim Bashkimin Europian si institucion, si projekt".
 
"Qëndrimi i Kryeministrit është sa i papjekur, aq edhe i rrezikshëm. Mund të jetë nga rastet e rralla jo vetëm në historinë tonë, por dhe më gjerë, që një kryeministër mban qëndrime që bien ndesh me aspiratën kombëtare. Në shumicë dërrmuese, qytetarët e vendit tonë janë pro Bashkimit Europian dhe ëndërrojnë integrimin e shpejtë.
Të gjithë ne duam që fëmijët tanë të jenë pjesë e familjes së madhe të vlerave, të qytetarisë, të mirëqenies e zhvillimit ekonomik".
 
PD ka theksuar në deklaratë se "nuk mund të mbulohet dështimi i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie me deklarata të papërgjegjshme kundër Bashkimit Europian, pasi këto janë akte të rënda, pasojat e të cilave mund t'i vuajë populli".
 
Më tej është sjellë si shembull fabula e dhelprës me rrushin, që tha se nuk bën kur nuk e arriti dot. "Është një përrallë që Rama mund t'ia tregojë kabinetit të tij në drekat e darkat luksoze, por s'mund të jenë kurrë qëndrimi zyrtar i kryeministrit të Shqipërisë", komenton PD.
 
"Urojmë që z.Rama të dalë shpejt nga intoksikimi ekstremist dhe të nisë vitin e ri me një tjetër mendje, me një tjetër logjikë, dhe të kërkojë falje sa ende nuk është vonë, për tritolin që po vë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", përfundon deklarata e PD.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit