PD: Urimi i Ramës, letër nga ferri
shqiptarët në mjerim e errësirë

PD: Urimi i Ramës, letër nga ferri<br />shqiptarët në mjerim e errësirë
TIRANE - Partia Demokratike ka reaguar ndaj letrës së hapur të dërguar nga kryeministri Edi Rama ndaj qytetarëve që paguajnë energjinë elektrike, duke e cilësuar atë si një letër të dërguar nga ferri.

Koordinatori në PD Ervin Salianji në një dalje për mediat është shprehur se kryeministri po dërgon letra për fundvit, ndërkohë që pensionistët janë pa shpërblim, dhe nëpunësit e administratës pa pagën e 13.

Sipas Salianjit letra e shefit të qeverisë është një hipokrizi pasi sipas tij mijëra familje janë në errësirë në prag të festave për shkak të faturave abuzive, dhe qindra të rinj, familjarë, gra, të mitura e të moshuar, janë në qeli, se nuk kanë me çfarë të paguajnë.

Më poshtë deklarata e plotë për mediat e Ervin Salianji:

Letra e Edi Ramës për qytetarët, është në të vërtetë një letër nga ferri. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur mijëra familje sot janë në errësirë, janë të pamundura për të paguar energjinë dhe faturat abuzive, sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë asnjë burim ekonomik.

Urimi për festat e fundvitit, është hipokrizia më e madhe që mund të ndodhë me realitetin e zymtë që e ka krijuar ai vetë, Edi Rama me politikat e represionin e tij, me shtetin policor, me rritjen e taksave, me dështimin e njëpasnjëshëm në ekonomi, me papunësinë e mjerimin që ka krijuar.

Shkruan Edi Rama letra, por pensionistëve u ka hequr shpërblimin e fundvitit, nuk rrit me asnjë qindarkë të ardhurat e tyre dhe të nëpunësve, dhe nuk u dha pagën e trembëdhjetë.

Firmos letra urimi Edi Rama por e ka kthyer OSHEE-, në portat e ferrit, ku asnjë qytetar nuk merr përgjigje, ku ankesat mbeten aty stok, ndërkohë që faturat abuzive dhe kamatvonesat mbi to po bëjnë kërdinë.

Edi Rama nuk kthen përgjigje për milionat arbitrare që u janë lënë poshtë derës familjeve si gjobë bandash.

Nuk kthen një përgjigje për familjarët, për gratë e të miturat, të rinjtë e të moshuarit që po i mban në biruca në këtë prag fundviti për shkak se nuk paguajnë dot, se nuk kanë me se të paguajnë.

Edi Rama po inkriminon masivisht qytetarët. Po fut ndasi, duke i quajtur hajdutë të pamundurit, ndërkohë që vjedhësit më të mëdhenj të energjisë administrojnë pushtetin dhe janë drejtorët e tij.

Eshtë hipokrizi e asgjë më shumë kjo letër, kur në fakt, Edi Rama ndau 600 milionë euro me kompaninë CEZ, në një aferë të pastër korruptive kundër interesave të shqiptarëve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar