TIRANË - Partia Demokratike e ka konsideruar vrasjen tragjike të Laçit si një “akt të pastër terrorist ndaj kandidatit të PD-së, Mhill Fufi. Gjithashtu, PD-ja ka dënuar çdo akt dhune që i frenon shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe ka akuzuar krerët e së majtës, Ramën dhe Metën, si një çift aventurierësh që i ka hyrë aventurës për të marrë me çdo kusht, pushtetin, por që do ta marrin shumë shpejt përgjigjen e duhur për cinizmin e tyre.

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, deklaroi se “politikanët e nekro politikës vrapuan të nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Laçit dhe harruan të shprehin ngushëllime publike për familjen e viktimës dhe të përmendin plagosjen e kandidatit të PD-së dhe të afërmit të tij nga persona, mbështetes dhe përkrahës të PS-së dhe aleatëve të saj, disa prej te cilëve  shkuan nga Tirana për motive te paqarta. Këta persona, thirrjes së kandidatit tonë “Largohuni dhe mos ndani lekë këtu” i janë përgjigjur me armë, duke plagosur kandidatin e PD-së dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi.”
 
Në përfundim, Vorpsi tha se “Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë kandidatit për deputet, Mëhill Fufit dhe të afërmit të tij, Kastriot Fufi dhe dënon me ashpërsi cinizmin, papërgjegjshmërinë dhe thirrjen për dhunë të çiftit Rama –Meta, që të etur për pushtet shpallin se janë të gatshëm me çdo mjet të përmbysin qeverinë demokratike. Partia Demokratike iu kujton këtyre aventurierëve politikë se vota e lirë e shqiptarëve do të respektohet me çdo çmim dhe se çdo mjet tjetër, përveç votës së lirë për të marre pushtetin, ka vetëm një përgjigje ligjore: dështimin e plotë dhe total të aventurës  dhe aventurierëve të saj.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)