TIRANE- Partia Demokratike po përdor kryetarin e Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, institucion vartës i bashkisë së Tiranës, për të politizuar çështje e fotos së ish-diktatorit Enver Hoxha.

Aktivisti Altin Goxhaj, i cili ishte edhe organizatori për protestën e zhvilluar para Ambasadës Amerikane në Tiranë për çështjen e armëve kimike, ka vijuar të organizoj një protestë kundër vendosjes së portretit të ish-diktatorit Enver Hoxha në përkujtimoren e çlirimit të vendit në 29 Nëntor.

Nëpërmjet faqes së tij në “facebook”, Goxhaj thekson se qytetarët duhet të portestojnë kundër vendosjes së fotos së diktatorit, por duke mbajtur të njëjtin qendrim me demokratët, çka e polarizon edhe më shumë këtë çështje.

Dje ishte dita e parë e protestës së organizuar ku sipas Goxhajt ishin rreth 40 protestues që morën pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga ai, gjë kjo që nuk provohet nga as një nga insitucionet shqiptare pasi paraditja e djeshme para Kryeministrisë ishte një rrugë “boshe” ku edhe qarkullimi i automjeteve si rrallë herë ishte i pakët. “Sot (dje) protesta e organizuar nga rrjetet sociale solli rreth 40 qytetarë të paorganizuar që protestuan. Uroj që nesër të jënë 100. Pasnesër 200. Të ejnten 500. Të dielën në 8 dhejtorë në ditën që u rrëzua diktatori të jenë mijëra para kryeministrisë. Kryeministri ynë merr vesh vetëm me presion qytetarë se nëse ne heshtim do të na vendosë në tekstet shkollore, në ndonjë komunë do të vendosë bustin dhe mos u habisni që pas 4 vitesh të na bëjë ndonjë monument me Enverin e veshur partizan.

Kryeministri po na përcjell një mesazh-shpullë. Puna është që ne ti japim një mesazh-shkelm edhe më të fortë”,-thekson Goxhaj në faqen e tij në “facebook”. Por këto deklarata duket se kërkojnë që të frymëzojnë një protestë revolucionare, gjë kjo që dëshmohet fare mirë edhe nga postimi që ai ka bërë në faqen e tij në rrjetin social “facebook”. Krahas kësaj, deklarata të bëra nga aktivisti duket se shkojnë në linjë të drejtë me opozitën e cila theksoi dje se do të ishte zëri i zjarrtë i qytetarëve. Kjo gjë lidhet edhe më shumë me akuzat që ka bërë Altin Goxhaj në faqen e tij në “facebook” ku pohon se do ti fusë një shkelm qeverisë.

Pavarësisht se këtë vit në ceremoninë përkujtimore të 29 nëntorit ishte i pranishëm protreti i ish-diktatorit Enver Hoxha, asnjë nga aktivistët nuk përmend faktin se pjesë e kësaj ceremoni ishte dhe kryetari i shtetit, Presidenti Bujar Nishani, i cili një vit më parë i largoi me dhunë shoqatat e veteranëve nga varrezat e Dëshmorëve vetëm që ia të ishte i vetëm gjatë homazheve të ditës së çlirimit.

Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)