PD, Paloka: Çështja e dosjeve
e hapur nga marioneta të Ramës

PD, Paloka: Çështja e dosjeve<br />e hapur nga marioneta të Ramës
TIRANË - Ndërsa deputetja demokrate, Mesila Doda ka deklaruar se do të rikthehet në Kuvend pasi dorëzoi sëbashku me Shpëtim Idrizin projektligjin për hapjen e dosjeve dhe u ka bërë apel edhe deputetëve të tjerë të kthen për ta mbrojtur në Kuvend atë, Paloka u shpreh se kjo çështje është hapur nga marioneta të Ramës. 
 
Në deklaratën e tij, kreu i grupit Parlamentar të PD, Paloka nuk e ka pohuar dhe as nuk e ka kundërshtuar kërkesën për kthim në Parlament nga ana e deputetes demokrate Doda, por ka theksuar se asnjë transparencë për hapjen e dosjeve nuk mund të bëhen nga dyshja Rama-Meta.
 
Sipas Palokës, kjo çështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes.

“Kjo çështje është  aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes. Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike.”- tha Paloka.

Më tej ai shprehet se PD është e vendosur për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime. Por kjo sipas tij nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre.
 
Deklarata e plotë e Edi Palokës, për ligjin për hapjen e dosjeve
Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet me forcë transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira Europiane.

Dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike.

Dyshja Rama - Meta ka risjellë sot në pushtet dhe pozicione drejtuese kuadro të larta të ish Sigurimit të Shtetit. Kjo është arsyeja se pse as transparenca ligjore dhe institucionale dhe as hapja e dosjeve nuk mund të bëhen nga kjo dyshe.

Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe asnjë mundësi të bëjë transparencë të besueshme. Nuk mund të hapin dosjet vetë hartuesit e tyre që sot janë rikthyer në pushtet me Edi Ramën dhe Ilir Metën.

Kjo çështje është  aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes. Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike. Nga skandalet e përditshme të qeverisjes dhe perspektiva akoma më e errët për vendin me rritjen e taksave dhe buxhetin klientelist. Nga kriminalizimi i qeverisjes dhe i parlamentit.

Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime.

Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Gjermania, 93,39 milionë euro Shqipërisë për zhvillimin e sektorëve prioritarë

Gjermania, 93,39 milionë euro Shqipërisë për zhvillimin e sektorëve prioritarë