TIRANE-  Partia Demokratike akuzon qeverinë se në radhët e policisë së shtetit ka punësuar një ish- anëtar të bandës kriminale të  Zani Çaushit e cila vepronte në Vlorë gjatë trazirave të 1997.

Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Edi Paloka, doli sot në një prononcim për shtyp për të denoncuar atë që e quan “skandal” emërimin e Ardian Licit, si ekspert të luftës kundër trafikut të drogës në Policinë e Vlorës.

"Sot jemi këtu për të denoncuar një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këto 4 muaj. Nëse doni të dini se si rilind Policia e Shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i anti-drogës në Vlorë. Ardian Lici, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv. Po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997.  Ardian Lici ka qënë një nga ushtarët e Zani Çaushit, dhe kushdo mund të futet në you-tube e ta verifikojë këtë që po themi ne."- tha Paloka nga selia e PD-së, ndërsa prapa tij në sfond ishte një video të 1997.

"Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postobllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian Lici, dhe është vlerësuar nga Ministri i Brendshëm, dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës."- vazhdon më tej Paloka.

Sipas PD kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët.

"Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit 97, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë."

Paloka mbylli deklaratën e tij duke thënë  "Tani, me Edi Ramën, erdhi koha që ushtari i Zanit të rilindë. Dhe rilindi, në radhët e anti-drogës së Vlorës. Tashmë nuk ka asgjë për t’u habitur pse sasia e drogës së kapur në vendet fqinje me ne, që vjen nga Shqipëria, është rritur.  Sepse luftën e drogës në vendin tonë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë."