Tirane- Në vijën e parë të akteve të dhunës dhe hedhjes së molotovëve në drejtim të institucioneve në protetsën e 7 tetorit nuk qenë as vetë deputetët e drejtuesit e Partisë Demokratike, por u përdorën grupe të rinjsh, shumica e të cilëve të mitur, siç kamerat e mediave kanë fiksuar.  Të njëjtët, qenë edhe në thyerjen e reklamave private në rrugë, vënien e zjarrit kazanëve të mbeturinave apo të stacioneve të autobusëve. 

Shumica prej tyre, të maskuar e të tjerë pa asnjë masë mbrojtëse u përdorën për të gjitha aktet e dhunës përgjatë tre orëve protestë. Një tjetër episod, ishte kur grupi i të rinjve nuk e lejoi të kalonte kjo auto-ambulancë.   

Nisur nga ky skenar i prodhimit të incidenteve duke shkatërruar kudo ku shkelnin, protestës i munguan në ballin e parë gratë, duke dëshmuar se të ftuarit kryesorë në tubim ishin grupet e organizuar të militantëve të përzgjedhur për të bërë rrëmujë.

Gjurmët e dëmeve në qytet duken dhe një ditë pas protestës.

Shumica ishin të mitur, dukshëm nën 18 vjeç apo nxënës shkollash. Në kokë mbanin kapuçë sportivë, apo bluza të zeza për ta bërë të vështirë identifikin por duket që janë të moshës së mitur. Ata shkatërrojnë reklamat anës rrugës me shkelma e sende të forta.

E konfirmon dhe policia sot. Për aktet e dhunës, Policia e Tiranës njoftoi sot se janë 3 të mitur në hetim. Njëri në kërkim ndërsa 2 të tjerë po procedohen në gjëndje të lirë. 

Policia ka arrestuar një protestues, Xh. Rr., 57 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë akuzat "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr". Ndërkohë, 3 protestues janë vënë në hetim, dy prej tyre të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç. Ndaj tyre rëndojnë 3 vepra penale "Prishja e rendit dhe qetësisë publike", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".