Në një komunikim me mediat, Alibeaj ka theksuar se zëvendësimi i Saimir Tahirit me Fatmir Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme nuk përbën asnjë ndryshim.
“Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi se në episodin e trafikut ndërkombëtar të 2.5 tonëve kanabis, të dala nga Porti i Durrësit, ishin përfshirë mes të tjerëve 3 efektivë policie, 2 të Drejtorisë së Policisë së Kufirit në Durrës dhe 1 i Policisë së Fierit”, ka thënë Alibeaj.
Ai ka theksuar se Partia Demokratike e ka denoncuar prej 4 vjetësh kriminalizimin e policisë, një projekt, sipas tij, i kryeministrit Rama në favor të pushtetit të tij.
“Kjo qeveri nuk jep asnjë garanci se krimi, trafiku i narkotikëve dhe korrupsioni qeveritar mund të luftohen. Kjo nuk ka si të ndodhë dhe as të shpresohet që të ndodhë, sepse vetë Edi Rama është ideatori, arkitekti dhe ekzekutuesi i kësaj politike makabre për të kriminalizuar policinë dhe rrënuar shtetin”, ka thënë Alibeaj.
Sipas deputetit të opozitës, sot është e qartë për këdo se potenciali i madh kriminal që mbizotëron në vend nuk mund të luftohet nga Rama dhe qeveria e tij.
“Sot më shumë se kurrë është nevojë imediate krijimi i një qeverie antimafie, e pakapur nga krimi, korrupsioni dhe droga dhe vullnetplotë për ta luftuar atë, duke filluar më së pari me largimin një orë e më parë të Edi Ramës”, ka shtuar Alibeaj.
G.F. / Shqiptarja.com

VIDEO






