TIRANE - Presionet mbi çdo institucion në vend nga e djathta në pushtet për të garantuar në këtë mënyrë votën zgjerohen edhe më tej. Pas denoncimit që bënë anëtarë të Teatrit të Operas dhe Baletit në gazetën Shqiptarja.com lidhur me presionet e mëdha të Partisë Demokratike mbi artistët për të marrë pjesë në takimet në elektoratin e djathtë vërtetohet se e njëjta gjë po ndodh dhe me arsimtarët.

Ndonëse kryeministri po përsos strategjinë e rritjes së rrogave, mënyrë kjo për të tërhequr votën e arsimtarëve, duket se kjo nuk po mjafton për ta “patur në xhep” votat e tyre. përveç arsimtarëve presionet janë edhe mbi punonjësit e Ministrisë së Arsimit, të cilët janë të detryara që të firmosin përditë dhe të marrin pjesë në takimet e shtabeve elektorale të djathta.

“Kemi urdhër nga Sali Berisha. Do votoni për ata që ju mbajnë me bukë”, është shprehja e përdorur nga militantët që mbrojnë votën e djathtë mbi arsimtarët në vend e duke arritur deri te punonjës të Ministrisë së Arsimit.

Arsimtarët edhe pse pa dashur që të identifikohen për shkak të pozicioneve që kanë, deklarojnë se presionet janë të ndryshme, duke arritur e deri te mënyrat për të bindur fëmijët e tyre për të garantuar votat e prindërve.

“Na kërkojnë çdo ditë që të plotësojmë formulare me emër, mbiemër dhe numrin e qendrës së votimit ku ne votojmë. Na kërkojnë të gjitha të dhënat dhe numrin e personave që votojmë në shtëpi. Na kujtojnë se duhet të votojmë për ata që na mbajnë me bukë.

Ne e dimë që nuk është urdhri i ministrit ky, por i njerëzve të tjerë”, thotë një asimtar, pa dashur që të identifikohet. Për t`i mbajtuar ata në kontroll, pegagogët, mësuesit apo dhe punonjësit e Ministrisë së Arsimit, persona të caktuar u deklarojnë atyre se do t`i filmojnë gjatë mbledhjeve në shtabet elektorale të djathta.

Ndërkohë që për punonjësit e Ministrisë së Arsimit, persona të caktuar kanë marrë të dhënat e tyre personale, numrat e kontaktit si dhe adresën ku ata banojnë, në mënyrë të tillë që të kenë kontroll mbi ta deri në ditën e mbajtjes së procesit të votimit.

PRECEDENTI

“Teatri i Operës ka çuar lista me emrat tanë pasi u është kërkuar me shkresë nga MTKRS, madje me shkresë është mobilizuar administrata e saj, se ministri tani ka vajtur atje, por administrata ka kohë që është e përgatitur me këto lloj shkresash dhe porosish.

Listën e njerëzve punonjësve të operës janë bërë nga e para nga ai pari dhe i fundit dhe kur unë insistova personalisht se “ne i kemi emrat tanë kemi edhe numrat e telefonit, pse duhen bërë të reja ç’i doni me adresa dhe emrin babait”.

Para një muaj na thanë na i kërkojnë emergjencat civile. Pa lidhje kjo, se çfarë lidhje kanë emergjencat civile të kërkojnë listën e punonjësve të operës?”, do të shprehej dirigjenti Edmond Doko për gazetën “Shqiptarja.com”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)