TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi akuzon kryeministrin Rama se ka firmosur në fshehtësi një projekt/ligj të ri, që sipas tij “zhbën tërësisht Ligjin për Nëpunësin Civil, anullon reformën në administratën publike, kusht kryesor i BE-së për të marrë statusin”.
Halimi e ka bërë këtë deklaratë sot për median, duke folur në emër të PD-së dhe duke e denoncuar këtë si rast të paprecedent në historinë legjislative.

 “Kryeministri Rama në errësirë dhe fshehtësi të plotë ka firmosur një projektligj të ri, që zhbën tërësisht Ligjin për Nëpunësin Civil, anullon reformën e kërkuar në administratën publike, që ishte dhe mbetet kusht kryesor i BE-së për të marrë statusin e vendit kandidat. Partia Demokratike e denoncon këtë si një rast të paprecedent në historinë legjislative shqiptare dhe botërore, ku një ligji të miratuar, qeveria i bën ndryshime thelbësore, edhe pse ligjin nuk e zbaton për asnjë ditë”, ka thënë Halimi.
 
Sipas tij, “Një ligj për të cilin u organizuan me dhjetra tryeza me ekspertët në 2 vjet, ndryshohet brenda natës në 16 nene, pa asnjë transparencë nga qeveria, kush ishin ekspertët, kur i hartuan, me kë e diskutuan!”
 
“Askund nuk ndodh që kryeministri i një Republike Parlamentare, ta bëjë zakon shkeljen e Kushtetutës së vendit dhe shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtutetuese dhe të kërkojë anullimin e vendimit të gjykates Kushtutese, me ligj.
 
Ndërsa ditën bllokon në mënyrë arbitrare publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke penguar ekzekutimin e vendimit, natën firmos ligje që të anullojë vendime gjyqesore, të sulmoje dhe spastroje administraten publike, të shkatërrojë rrugën e integrimin e vendit”.
 
“Me këtë akt,- vëren Halimi,- Edi Rama ka tejkaluar çdo imagjinatë anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-integrim”.
 
“Edi Rama ka bërë gjithashtu të qartë se është kundër konsesusit politik dhe ka zgjedhur të hedhë në erë çdo mundësi për të dialoguar me opozitën”.
 
“PROJEKTLIGJI LIGJËRON GJITHË SHKARKIMET”
"Ky projektligj injoron me arrogancë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, injoron opozitën, injoron parlamentin dhe partnerët ndërkombëtarë, që janë shumë të ndjeshëm për administratën publike”, vërejti Halimi.
 
Sipas tij, “ky projekti i ri i Ramës përkeqëson gjendjen e administratës publike sot”.
 
“Përkeqëson garancitë për qëndrimin në detyrë, jo vetëm në raport me ligjin ekzistues nr. 152/2013, por edhe me vetë ligjin e vjetër të nëpunësve civil. Ligjëron të gjitha shkarkimet dhe nxjerrjet në listë pritje, të kryera në kundërshtim me ligjin nga qeveria nga 1 tetori, duke rifutur konceptin e ‘listës së pritjes’ në rastet e ristrukturimit dhe mbylljes së institucionit. Heqja e mekanizmit të listës së pritjes ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Europian”, vërejti deputeti Halimi.
 
“RAMA KËKRKON TË LIGJËROJË EMËRIMET E PALIGJSHME”
Sipas ish ministrit të drejtësisë, Rama “Kërkon të ligjërojë të gjitha emërimet e paligjshme që janë realizuar në administratën publike nga data 1 Tetor 2013 - deri më sot”. Ai vijon se “Synon të kontrollojë procesin e përzgjedhjes së trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, duke politizuar administratën”, si dhe “Krijon kushtet për spastrim të gjithë nëpunësve civilë aktualë që janë në periudhë prove”.
 
“MË 20 SHKURT, SHQIPTARËT DO T’I TREGOJNË RAMËS SE NUK DO T’IA LENË NË DORË FATET E VENDIT”
Me këtë projektligj, sipas Eduard Halimit,  “Edi Rama ka bërë hapa mbrapa, dhe po minon integrimin europian të vendit. Ai po djeg çdo mundësi për konsensus politik në vend, dhe po hap derën e shkatërrimit përfundimtar të administratës”.

“Edi Rama po i jep shqiptarëve edhe një arsye më shumë për ta ndaluar aventurën e tij të rrezikshme, duke u treguar arrogant me ligjin, kushtetutën dhe partnerët ndërkombëtare. Më 20 Shkurt, shqiptarët do t’i tregojnë se nuk do t’ia lënë atij në dorë fatet e vendit dhe të ardhmen europiane të fëmijëve tanë”, përfundon deputeti Halimi.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)