PEQIN - Partia Demokratike ka organizuar sot një protestë në qytetin e Peqinit, kundër aksionit të energjisë të ndërmarrë në të gjithë vendin, si dhe arrestimet që janë bërë në kuadër të këtij aksioni.
 
Në protestën e organizuar nga PD, banorë të qytetit të Peqinit, me pankartat dhe thirrjet “Ndal terrorit në Peqin”, “Stop shtetit policor”, “Jo rritjes së çmimit të energjisë” ata kanë kundërshtuar aksionin e OSHEE-së për vjedhjen e energjisë si dhe arrestimet e kryera të abuzuesve.
 
Televizioni A1 Report sjell foto të protestës së mbajtur në qytetin e Peqinit.
 
Mësohet se protesta drejtohej nga Kreu i Bashkisë së këtij qyteti Ilir Rrushi dhe deputeti i PD për qarkun e Elbasanit Ardjan Turku.
 
Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Rrushi ka kërkuar që të ndalet aksioni i energjisë. Ai është shprehur se energjia elektrike do të paguhet kur të ketë matës të rregullt dhe fatura të rregullta.
 
Aksioni i OSHEE, vijon tashmë prej të paktën 1 muaji në të gjithë vendin, ku në pranga kanë rënë dhjetëra persona, nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)