Fillimisht ishin demokratët ata që anuluan këtë mbledhje. Një mesazh i ardhur deputetëve konfirmonte këtë takim.
Ndërkohë, afro një orë më pas, burime pranë PS-së theksuan se mbledhja me ambasadorët do të zhvillohet ditën e martë, kur edhe socialistët kanë njoftuar mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar.
Ndërkaq, Ambasada Amerikane njoftoi se po punohet që këto takime të mund të realizohen javën tjetër.
Ndërsa përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim thanë se kërkesa për të shtyrë mbledhjen me grupin parlamentar të LSI, erdhi nga vetë ambasadorët Lu e Vlahutin.
Takimet me grupet parlamentare të PS, PD dhe LSI ishin parashikuar gjatë ditës së premte.
Takimi me ambasadorët, debate edhe në Kuvend
Kjo iniciativë e ambasadorëve për të qenë prezent gjatë diskutimeve në mbledhjet e grupeve parlamentare ka shkaktuar debate edhe në seancën Parlamentare.
Për kryeministrin Rama kjo është një gjë normale, duke deklaruar gjithashtu se ambasadorët duan të takohen me grupin demokrat, pasi sipas tij të majtët janë gati ta votojnë reformën.
"Nuk e di nëse ka ndodhur në vendet e tjera, por nëse ndodh në këtë ndodh edhe për takim me grupin tuaj. Pasi në grupin e PS e LSI ata janë të mirëseardhur por nuk kanë asgjë as për të kërkuar aspër të sqaruar, e as për të sheshuar, sepse koalicioni ynë, PS e LSI, janë shprehur shumë qartë, janë shprehur të gatshëm ta votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese që dje. Ju s'keni qenë të gatshëm", tha Rama.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha u shpreh se reformën në drejtësi nuk e do kryeministri Edi Rama.
"Çfarë iu gjeti ju që e shtytë. Ju kapi barku? Të besosh ti se e lë Surreli atë për të bërë reformën, është njësoj si të besosh se rrethi është katror", u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër, deputeti i PS, Taulant Balla tha se grupi parlamentar socialist e ka mbledhjen ditën e martë dhe se nuk ka asnjë ndryshim në këtë axhendë.
"Grupi parlamentar i PS, po të duash dhe ti Sali je i ftuar, e ka mbledhjen ditën e martë. Dhe nuk kemi bërë asnjë lloj ndryshimi mbledhjesh. Dil dhe thuaj këtu gënjeva...S'është gabim të thuash që gënjeva, pavarësisht se ti gënjen për ditë. Apo tani po e lexon mesazhin që qenka anuluar mbledhja? Pavarësisht se mesazhin për mbledhjen e çon ti i pari. Ti e çon, pastaj bëhet mbledhja", u shpreh Balla.
I ashpër në reagimin e tij ishte deputeti socialist, Ben Blushi i cili u shpreh se mbledhja e grupeve parlamentare në prani të ambasadorëve, është turpi i këtij Kuvendi.
"Ambasadorët e SHBA e të BE kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamntare për tu përcaktuar atyre jo vetmë punën, por edhe orarin e punës, ditën e premte. Ata kanë vendosur ta mbledhin parlamentin e Shqipërisë jashtë kësaj salle. Nga kjo ditë, ky Parlament ka humbur legjitimitetin e vet dhe sovranitetin që ka. Për qytetarët ka një çmim dhe çmimi është tallja me ne, çmontimi i këtij parlamenti dhe përçmimi i kësaj klase politike", tha Blushi.
Ambasadorët Lu dhe Vlahutin morën pjesë një ditë më parë në Komisionin e Reformës në Drejtësi ku iu drejtuan deputetëve se nëse dështon reforma në drejtësi ky do të jetë një turp i tyre për zgjedhësit, SHBA e Bashkimin Evropian.