Partia Demokratike ka shigjetuar sërish sot Sali Berishën dhe Ilir Metën, teksa i ka rikujtuar videon e përgjimit të Dritan Priftit.

Me një postim në Facebook, PD rikujton edhe akuzat e Berishës ndaj Metës, ku i thotë se dha dorëheqjen për 700 euro, teksa ky i fundit përgjigjet se dorëheqjen e dha prej Shkëlzenit, djalit të Berishës pasi dilte ai në videon e përgjimit.

Për PD-në, Berisha dhe Meta janë dy të korruptuar që mbajnë njëri-tjetrin, pasi po ra njëri, bien të gjithë. Sipas Partisë Demokratikë, ata po sillen si burracakë, ku shajnë mashtrojnë, e më pas fshihen që të harrohen.

"Pengjet e korrupsionit mbajnë njëri-tjetrin, se po ra njëri bien të gjithë. Kjo është arsyeja që non grata  të shpallura e të pa shpallura, janë bashkë, sulmojnë PD, duan shkatërrimin e PD. Sillen si burracakë, e frikacakë, siç bënë një ditë më parë kur u fshehën që të mos votojnë edhe pse mbushën dynjanë se do votojnë kundër në parlament. Shajnë e mashtrojnë, pastaj fshihen që të harrohen. Tashmë demokratët e dinë, shqiptarët e dinë, se e shkuara kërkon të mbajë peng Shqipërinë për hallet e veta. Prandaj është e qartë se po mbështete Berishën dhe Metën, mban Ramën", thuhet në postimin e PD.