TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar sërish ndaj situatës kriminale, në vend ndërkohë që qeveria tregon “muskujt ndaj protestuesve të bukës së gojës dhe i kërcënon ata”. Sipas opozitës ka ardhur koha që “për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit.”

Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat, Arben Ristani ka ripërsëritur bindjen e Partisë Demokratike se vendi është një situatë të rënduar kriminale, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk reagon aspak.

“Ne jemi të vendosur që nëpërmjet këtij komunikimi të tërheqim sadopak vëmendjen e qeveritarëve mendjembyllur për katastrofën ku po e çojnë Shqipërinë, tha Ristani nga selia e PD-së. “Shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin”, thotë ai, ndërsa  shton se qeveria tregon forcën ndaj protestuesve të furgonave, të cilat kërcënohen për gjërta mëjetike të jetës.

“Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonave që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje”, u shpreh ai.

Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar.
Ndaj kësaj situate, thotë Ristani  “përgjigja e Kryeministrit është se  ai tregon muskujt ndaj protestuesve të bukës së gojës dhe i kërcënon ata.”

Sipas tij, përveç Tiranës,  situata e rendit dhe të sigurisë është më e përkeqësuar në rrethe ndërkohë që ministri i Brendshëm dhe Kryeministri nuk reagojnë ndaj thirrjeve të opozitës. “Asnjë reagim nga shefat e tyre qeveritarë”, shprehet Ristani

“Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit”, ka thënë deputeti demokrat ndërsa i bërë thirrje ministrit Tahiri dhe Kryeministrit të reflektojnë.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)