TIRANË- Partia Demokratike akuzon qeverinë se po mundohet të fsheh zbulimin e së vërtetës sa i përket ndërhyrjes në severin e tatimeve.

Në një deklaratë për mediat pasditen e sotme, zëdhënësja PD-së, Silvi Bardhi, tha se opozita  disponon të dhana që tregojnë se ushtrohet presion mbi organin e akuzës për fshehjen e të vërtetës.

“Partia Demokratike disponon të dhëna të plota për presionin që po i ushtrohet organit të akuzës në procesin hetimor, si dhe për lidhjet e dyshimta mes personave që hetojnë dhe personave të implikuar”, deklaroi Bardhi.
 
Në vijim ajo tha, “Partia Demokratike është e vendosur të mos lejojë që kjo ngjarje e paprecedentë, ky krim i rëndë shtetëror, të pasohet nga një tjetër krim edhe më i madh, siç është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e ndëshkimit për përgjegjësit direkt, për ideatorët, dhe për ata që po përfitojnë sot e gjithë ditën nga shtënia në dorë e të dhënave konfidenciale të mbrojtura me ligj.”
 
Gjithashtu, Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po mundohet të arkivojë skandalin e vjedhjes së të dhënave në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. 

“Nën ankthin e zbulimit të manipulimit dhe vjedhjes të të dhënave nga serveri i tatimeve, qeveria po investohet rëndë për arkivimin e këtij skandali, duke uruar që të harrohet dhe të mbyllet në sirtaret e drejtësisë. Por, përmasat e këtij skandali janë shumë të mëdha, dhe sa më shumë mundohet dyshja Rama-Meta ta fshehin, aq më shumë e rëndojnë pozicionin e tyre në këtë histori korrupsioni të paprecedentë”, tha ajo.
 
Para një jave, në medat doli një video ku u shfaq deputeti Spartak Braho dhe drejtoresha e Drejorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Briseja Shehaj duke hyrë në dhomën e severave të tatimeve.
 
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisejda Shehaj, sqaroi për mediat se deputeti ishte i pranishëm në institucion me urdhër të Ministri të Financave, por ka mohuar të hyrjen e deputetit në zyrën e serverave. Sipas Shehajt, denoncimi për fshirjen e të dhënave është bërë prej saj pranë organeve hetimore.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)