TIRANË, 22 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ - Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani u shpreh sot në një deklarate për shtyp se, "modeli i Ramës është verifikuar e çertifikuar tashmë si modeli i ngritur mbi mashtrim që po përkeqëson jetën e qytetarëve çdo ditë.
"Sa herë që flitet për interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve, Edi Rama shfaqet si prodhues i konfliktit politik, i bllokimit, i axhendës së vet personale në kurriz të qytetarëve" tha Bogdani.
Sipas Bogdanit, trashëgimia e Ramës në Tiranë është betonizim, klientelizëm e korrupsion, ndërsa sot në krye të qeverisë ai po bllokon të gjitha projektet që krijojnë vende pune, e përmirësojnë jetën e qytetarëve, vetëm sepse do të mbajë ndezur konfliktin politik e të pengojë një bashki ku ai është refuzuar me votë.
"Roli i deputetëve është të mbrojnë interesat e qytetarëve, jo të kthehen në skllevër të bindur të pabarazisë para ligjit dhe të paligjshmërisë që po vret sigurinë juridike dhe mijëra vende pune. Deputetët t'i kërkojnë Ramës të zhbllokojë investimet, të zhbllokojë ndërtimin e bulevardit, tramit, terminalit dhe investimeve të tjera publike që hapin vende pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve, tha deputeti demokrat Gerti Bogdani.
/f.n/








