TIRANË, 20 Qershor /ATSH- I. Vata/-Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, ka dalë të premten në një deklaratë për mediat për të denoncuar standartin e dyfishtë që përdor kryeministri Rama, duke i dalë në mbrojtje Zyhdi Dajtit, zyrtarit të tij dhe per te burgosur Florenc Hoxhën, zyrtarin e bashkisë, pas urdhërit nga Gjykata për arrest.
"Partia Demokratike dënon me forcë zbatimin e dy standarteve nga Kryeministri Edi Rama, në të njëjtën ditë, për të njëjtën akuzë të Prokurorisë, për vendime gjyësore të njëjta të dala nga e njëjta gjykatë. Nga njëra anë, policia e shtetit ndalon shefin e inspektoriatit ndërtimor të Bashkisë së Tiranës dhe nga ana tjetër, Edi Rama urdhëron mbrojtje politike për Zyhdi Dajtin, shefin e tij të Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar, duke penguar zbatimin e vendimit të gjykatës", tha Halimi.
Halimi e ka konsideruar Policine e Shtetit si një bandë private që nuk udhëhiqet nga ligji, por nga urdhërat politikë të Edi Ramës. "Ky është një skandal i përmasave të mëdha, që vërteton edhe një herë se në Shqipëri, barazia para ligjit, shteti ligjor dhe sundimi i ligjit jane zëvendësuar me sundimin politik të Edi Ramës, tha Halimi. /a.ke/