TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministri Edi Rama se edhe pse në kohë pandemie zgjedh të kalojë fundjavën në Paris.

Për Bardhin, ky nuk është problemi i vetëm. Për udhëtimin e tij në Paris, sipas numrit dy të demokratëve, Rama ka shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal në një kohë kur ky avion duhet të merrej me riatdhesimet e qytetarëve që kanë mbetur të bllokuar jashtë për shkak të COVID-19. 

"Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi. Për ç'arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale? Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal? Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale. Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotësojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë? Ramavirusi që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale. Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë", shkruan Bardhi.

E menjëhershme ka qenë reagimi nga zyra e shtypit të kryeministri të cilët bëjnë me dije se ky udhëtim ka të bëjë me çështje pune, duke e quajtur si të turpshme akuzën e PD-së. " E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin", shkruan këshilltari i kryeministrit, Endri Fuga.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:25
PD i përgjigjet Endri Fugës: Rama nuk mund të fshihet, tregoni pse ishte në Francë me charter privat

Ka reaguar sërish Partia Demokratike, lidhur me udhëtimin e kryeministri Edi Rama në Paris. Kye reagim vjen si përgjigje të deklaratës së bërë nga kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga i cili tha se ishte takim pune, jo fundjave siç PD-ja pretendonte. Megjithatë, këta të fundit ka reaguar sërish duke kërkuar transparencë.

"E turpshme është që Edi Rama të harxhojë me mijëra euro për luksin personal, kur shqiptarët i ka lënë në pikë të hallit. E turpshme është që Edi Rama te udhëtojë si hajdut me charter personal dhe ta mbajë të fshehtë arsyen. E turpshme është të justifikosh luksin dhe vjedhjen e Ramës, duke akuzuar opozitën që zbuloi të vërtetën e udhëtimit në fundjavë prej 100 mijë euro me avion privat. Edi Rama nuk mund të fshihet. Ai ka udhëtuar me avion privat në fundjavë në Francë. Pse?", shkruan PD.