PD: Rama negociatë sekrete në Turqi 
për koncensionin e HEC të Skavicës

PD: Rama negociatë sekrete në Turqi <br />për koncensionin e HEC të Skavicës
TIRANE - Vizita e kryeministrit Edi Rama në Stamboll i ftuar nga platforma “Sofra e Ideve” është kthyer në objekt akuzash nga opozita e cila e akuzon kreun e qeverisë se vizita e tij ka tjetër qëllim: Arritjen e një negociate sekrete me një konsorcium turk të interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës.
 
Nga selia e PD-së Kreshnik Çollaku në emër të opozitës i adresoi një sërë pyetjesh kryeministrit Rama dhe kërkoi që të dalë dhe të sqarojë opinionin. Sipas tij, vizita e Ramës fsheh pas pazaret për një nga projektet më të rëndësishem energjetike në Shqipëri. Po ashtu demokratët kërkuan sqarime nëse është vënë në dijeni dhe a është kërkuar opinioni i qeverisë turke lidhur me konsorciumin.
 
Deklarata e plotë e Çollakut 
Sot Edi Rama në orët e para të mëngjesit ka udhëtuar drejt Turqisë. Në një ndër hotelet më luksoze të Stambollit ai sot nuk po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare por në një negociatë sekrete aspak transparente, private, me një konsorcium turk i interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës, një ndër veprat më të rëndësishme energjitike në vend me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në fushën e energjisë e për pasojë dhe të sigurisë së vendit.
 
Duket e pazakontë kjo sjellje e kryeministrit.
 
Pse duhet kryeministri i vendit të realizojë fshehurazi një negociatë të tillë?
A është vënë në dijeni dhe a është kërkuar opinioni i qeverisë turke lidhur me konsorciumin?
 
Pse ambasada e Republikës turke në Tiranë është njoftuar për udhëtimin e kryeministrit vetëm pasi ai ka mbërritur në Stamboll në një formë jashtë çdo protokolli e respekti diplomatik?
 
Cili është vlerësimi i qeverisë turke për konsorciumin në fjalë?
 
A është kërkuar opinioni e çfarë vlerësimi ka dhënë Banka Botërore lidhur me aftësitë e kapacitetetit të konsorciumit turk?
 
Pse ka nevojë kryeministri të negociojë hoteleve kur ka zyrat e shtetit dhe një administratë të mirëpaguar që mund të zhvillojë detajet e negociimit?
 
Pse ka konflikt mes dy ministrave të qeverisë lidhur me negociimin e konsorciumit?
 
Përse diplomatët tanë përdoren vetëm për të siguruar kalimet vip në aeroporte dhe nuk janë pjesë e këtyre negociatave?
 
Kush është sekseri i qeverisë, i negociatës sekrete disa mujore? Sa është përqindja e sekserit qeveritar? 
 
Këto dhe të tjera pyetje janë sot para jush z.kryeministër. Ju ftojmë të sqaroni opinionin lidhur me to. 
 
Opozita ju fton në transparencë. Nëse zgjidhni të heshtni, ne do t’i bëjmë të qartë shqiptarëve çdo detaj të errët e korruptiv të këtij pazari kryeministror, në kurriz të interesave të publikut. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Bosnje, vijojnë kërkimet për 40 të zhdukur! Kroacia ofron 10 milionë euro për ndihmë urgjente! Në 

Përmbytjet në Bosnje, vijojnë kërkimet për 40 të zhdukur! Kroacia ofron 10 milionë euro për ndihmë urgjente! Në