Partia Demokratike thotë se qeveria vijon të mbajë peng zgjedhjet në Rrogozhinë, edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga dënimi i Edison Memollës. Sipas Marash Logut, Memolla vijon të kontrollojë bashkinë, pasi në vend të tij është komanduar burri i kushërirës.

Deklarata e plotë e Marash Logut

"Në datën 9 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi përfundimisht deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, duke e dënuar me 1 vit burg. Edison Memolla u dënua për ndërhyrjen për të mos i prerë energjinë elektrike një qytetareje të Rrogozhinës, duke premtuar se do t’i paguante ai vetë detyrimet e prapambetura meqenëse ishte koha e fushatën së zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Po në datën 9 shkurt 2026, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar organet e pushtetit lokal për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, dhe Edison Memolla është ndaluar dhe dërguar për të vuajtur dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Sjellim në vëmendje se dënimi penal i formës së prerë i kryetarit të Bashkisë, passjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit, në zbatim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 61 dhe 62 të Ligjit nr. 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’. Në zbatim të këtyre dispozitave, me shkresën nr. 650 prot., datë 11.02.2026, Këshilli Bashkiak Rrogozhinë ka njoftuar Prefektin e Qarkut Tiranë se për shkak të dënimit përfundimtar të kryetarit të Bashkisë Edison Memolla, aktualisht në burg, ai nuk mund ta ushtrojë detyrën, duke u gjendur në kushtet e përfundimit para kohe të mandatit të kryebashkiakut. Në të njëjtën ditë, me shkresën nr. 252/1 prot., datë 11.02.2026, Prefekti i Qarkut Tiranë ka njoftuar Këshillin e Ministrave për përfundimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla dhe krijimin e vakancës. Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Ministrave njofton menjëherë Presidentin e Republikës, i cili cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore brenda 45 ditëve. Kjo do të thotë se zgjedhjet e pjesshme vendore në Rrogozhinë duhet të zhvilloheshin brenda datës 28 mars 2026. Megjithëse kanë kaluar rreth 6 muaj nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të ish-kryetarit të Bashkisë Edison Memolla, nuk rezulton që Qeveria të ketë njoftuar Presidentin, dhe as ky i fundit të ketë nxjerrë dekret për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore. Prej 6 muajsh, Rrogozhina drejtohet nga një kryetar i komanduar, i pazgjedhur nga qytetarët, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. Kryetari i komanduar rezulton të jetë Andi Proshka, bashkëshorti i Erinda Memollës, vajza e xhaxhait e ish-kryetarit Edison Memolla. Pra, edhe pse Edison Memolla u shpall fajtor, dhe vuan dënimin me burg për korrupsion zgjedhor, ai vazhdon të kontrollojë Bashkinë Rrogozhinë nëpërmjet bashkëshortit të kushërirës së tij, si kryetar i komanduar, i cili mbahet në këtë detyrë nga Edi Rama, pa votën e qytetarëve dhe në shkelje të Kushtetutës e ligjit. Partia Demokratike dënon këtë sjellje antidemokratike, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, dhe i bën thirrje Presidentit të Republikës që, pa asnjë vonesë të mëtejshme të marrë masa për të dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore për Bashkinë Rrogozhinë. Le të jenë qytetarët e Rrogozhinës që vendosin se kush do t’i drejtojë, dhe jo farefisi apo krushqia e kryetarit të shkarkuar për korrupsion zgjedhor, apo interesat korruptive të Edi Ramës dhe Taulant Ballës në Rrogozhinë. Faleminderit!"