TIRANË - Partia Demokratike ka reaguar sot dy herë njera pas tjetrës, kundër Qeverisë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" brenda pak minutave. Herën e parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nëpërmjet profilit të tij në Fb, e ka konsideruar Qeverinë e dalë nga Kuvendi "si të ngecur, pa Program", ndërsa dalja e tij e dytë para medias ka qënë menjëherë pas betimit të kabinetit "Rama" tek Presidenti. Në kë dalje të dytë, Basha ka ngulur këmbë që Rama të kërkojë falje për dhunën verbale ndaj opozitës sot, pasi ai u shpreh "Nuk keni parë gjë akoma!"

Basha deklaroi nga selia e PD-së: "Asnjëhërë në historinë e parlamentit nuk është dëgjuar “Ju nuk keni parë asgjë akoma!” Kërcënimi i tij i fundit ndaj opozitës tregon se z.Rama ka mashtruar zgjedhësit, i vetëdijshëm se nuk mund të realizojë premtimet, ai nis luftën ndaj opozitës.

Gabon rëndë, z.Rama, pasi populli nuk pranon të dhunohet opozita e tij, sepse PD-ja është një kockë e fortë, e pathyeshme. Ju bëj thirrje ta tërhiqni menjëhër kërcënimin ndaj opozitës, ju ftoj të kërkoni ndjesë para qytetarëve. Ju ftoj të hiqni dorë nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, në të kundërt do përballeni me pasoja që mund t’i merrni vetë me mend."

ORA 17.20 TOPALLI: EDI RAMA NA KËRCËNOI
Menjëherë pas votimit të qeverisë “Rama”, ka reaguar edhe Jozefina Topallit. Në profilin e saj në Facebook, Topalli ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për kërcënime.
“Më akuzuat se ushtrova dhunë, por ju akoma nuk e keni parë ç’është dhuna!”, tha Edi Rama sot. Ky ishte programi i Edi Ramës, 3 minuta para votimit! Ky, ishte Kërcënimi ,që ende pa u votuar ai i bëri opozitës. Fillim i mbrapshtë!”, - ishte komenti i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit në profilin zyrtar në Facebook.

ORA 17.03 BASHA: QEVERIA PA PROGRAM
"Qeveria e Ramës është e para në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështetur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afte”, ka qenë reagimi i Bashës pas votimit të Qeverisë nga Kuvendi. Ai e ka cilësuar qeverinë “Rama” si mbetëse në klasë në përballjen e parë me opozitën.

"Unë besoj se në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtuquajturës Rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota,” - shkruan Basha.

“Asnjë minutë paqe ndaj kësaj qeverie për gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj elektorale”, shkruan Basha në reagimin e tij në Facebook.

"Urojmë që kryeministri dhe qeveria e tij ta kenë dëgjuar oponencën tonë. Jo vetëm përmes pranisë fizike në seancë, por kryesorja, ta kenë dëgjuar me veshin e arsyes për t’u ulur me këmbë në tokë. Për të hequr dorë nga sindroma e vitit zero,” përmbyll mesazhin e tij në rrjetin social Facebook, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Redaksia online
(ash/ac/jk/shqiptarja.com)