TIRANE - Partia Demokratike me anë të deputetit Arben Ristani kanë akuzuar Ministrisë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. “100 ditët e Ministrisë së Brendshme, janë 100 ditët e kthimit të Policisë së Shtetit në polici partiake, janë 100 ditët e shkarkimit të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantët, numëruesit dhe komisionerët zgjedhorë të PS-së”, tha Ristani.

Sipas tij, këto “janë 100 ditët e shkeljes së ligjit dhe çoroditjes së Policisë së Shtetit, të lulëzimit të krimit, të shtimit të aksidenteve e trafiqeve të paligjshme, të rritjes së pasigurisë së jetës. Janë 100 ditët e bombave me telekomandë dhe grabitjeve me maska.

Janë 100 ditët e kontrollit dhe censurimit të buletineve dhe informacionit mbi kriminalitetin”.

“Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ose siç njihet, numëruesi i parë i votave të Partisë Socialiste, nga drejtuesit e policisë në qarqe që marrin poza në mes të arës me hashash, e deri tek shefi më i thjeshtë, të gjithë erdhën në poste, u promovuan falë shërbimit të tyre politik, si komisionerë, donatorë apo edhe kandidatë për deputetë të Edi Ramës.

Struktura të suksesshme, oficerë të mirëtrajnuar nga taksapaguesit amerikanë e europianë, u flakën në rrugë.

Paradë televizive ka me shumicë, por vetëm javën e fundit kanë ndodhur 4 grabitje me armë shumë afër kryeqytetit”, deklaroi Ristani në konferencën për media.

Sipas tij, me socialistët në pushtet, krimi ka marrë një guxim të paprecedentë, duke thyer burgun e sigurisë së lartë, duke goditur policinë në detyrë e deri brenda në komisariat.
Ristani tha se, “në këto 100 ditë është dyfishuar sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi, nga Shqipëria.  

Në këto 100 ditë, numri i krimeve kundër jetës, i grabitjeve, vjedhjeve dhe vjedhjeve me dhunë, është dyfishuar, dhe bashkë me këtë ka rënë forca zbuluese e policisë dhe është rritur pasiguria për jetën për qytetarët e vendit”.

“Sipas të dhënave, numri i aksidenteve në rrugët tona është rritur me 30 % në këto 100 ditë, dhe për fat të keq, po kaq është rritur dhe numri i viktimave.

Është dyfishuar numri i personave që trafikohen dhe emigrojnë në mënyrë të paligjshme krahasuar me një vit më parë, duke vënë kështu në rrezik integrimin europian të vendit dhe privilegjin e lëvizjes pa viza.

Vetëm pak ditë më parë këtë shqetësim e ngriti Kryeministri Britanik, Daivid Kamerun, i cili nuk u përgënjeshtrua sepse nuk mund të përgënjeshtrohej nga Rama dhe Tahiri.

Në këto 100 ditë ka rënë bashkëpunimi i policisë me organizatat partnere, dhe numri i operacioneve të përbashkëta”, theksoi deputeti demokrat gjatë konferencës.

Ristani theksoi se, nNë të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, u kryen 8 operacione speciale me partnerët ndërkombëtarë. Në këto 100 ditë, as edhe një.
“Nuk është zbuluar asnjë nga autorët e vrasjeve mafioze që kanë ndodhur.

Nuk është kapur asnjë nga bandat e grabitësve me maska që po shtohen përditë e më tepër.

Këto janë treguesit me të cilët matet puna e policisë dhe e sigurisë së jetës për qytetarët në vend.

Ka një gjë që policia e shtetit dhe qeveria e ka rritur në këto 100 ditë,
Ky është arbitrariteti ndaj qytetarëve.

Një fushatë ndëshkimi me gjoba ka nisur kudo, dhe çdo ditë dhjetra e qindra qytetarë detyrohen të paguajnë për kundravajtje që nuk i kanë bërë”, deklaroi gjatë fjalës së tij, deputeti i PD-së, Arben Ristani.

“Tashmë të gjithë janë të bindur se këto 100 ditë janë një ogur i keq edhe për ditët që vijnë”, përfundoi deklaratën nga selia e PD-së, deputeti Arben Ristani. 
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)