TIRANË - Partia Demokratike, me anë të deputetit Arben Ristani ka hedhur sërish akuza gjatë ditës së sotme ndaj qeverisë, në lidhje me situatën e rendit në Shqipëri. Sipas Ristanit, “përgjegjësit për rendin të japin llogari, justifikimet e qeverisë janë qesharake”.
 
Sipas deputetit Ristanit, po ndodhin “vrasje mafioze, tritol në banesa, në makina në qendër të qyteteve e kudo, grabitje me maska, banda që qëllojnë autobusët e linjave interurbane,  sulme brenda në komisariat, krime brenda shkollave, rritje galopante e vjedhjeve dhe krimeve kundër pronës, ky është bilanci i rendit sot”. 
 
“Të paaftë për tu qëndruar përgjegjësive që kanë për këtë gjendje, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, po tentojnë së fundmi të lajnë duart me një paketë justifikimesh që i nxjerr ata si personazhe komike në këtë situatë tragjike të rendit”, theksoi Ristani në deklaratën e tij.
 
Sipas Ristanit, “Ministri i Brendshëm thotë se, janë larje hesapesh e vetëgjyqësi”. “Përgjegjëse është prokuroria, thotë Kryeministri, por nuk janë në gjendje të tregojnë sa raste kanë dërguar pranë këtij institucioni për hetim”, deklaroi deputeti demokrat.
 
Sipas deputetit të PD-së, “po kërkojnë t’ia kalojnë përgjegjësinë Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë, vetë Ministri, i ka shkrirë e degraduar sektorët anti-terror të policisë në rrethe dhe me zëvendësimet politike ka shkëputur cdo lidhje të policisë me informacionin në terren. Sipas Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, faj kanë kompanitë celulare dhe AKEP për situatën e rënduar kriminale pasi ekzistojnë numra telefoni pa pronar”.
 
“Fajin për krimin në vend e ka Bashkimi Europian, sepse heqja e vizave ka sjellë trafikimin e femrave thotë drejtuesi i Policisë. Kjo është njësoj si ti kërkosh Europës të vendosë regjimin e vizave se ne kemi një qeveri të paaftë të bëjë punën e saj. Shqiptarët dhe Shqipëria janë sot vetëm në dorë të Zotit sepse Policia është zhbërë. Pasiguria e qytetareve sot mund të krahasohet vetëm me vitin e mbrapshtë 97”, tha Ristani në fjalën e tij në selinë e PD-së.
 
Sipas Ristanit, “kryeministri, zoti komik i vetëshpallur dhe ministri i tij i paaftë e qesharak vetëm shfajësohen dhe hedhin fajin tutje si top llastiku. Gjendja skandaloze e kriminalitetit në vend është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve  skandaloze dhe antiligjore të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm në Policinë e Shtetit”.
 
“Këto veprime janë edhe shkaqet e vërteta të kësaj situate rendi dhe pasigurie, me të cilën përballen shqiptarët sot. Situata emergjente e sigurisë në vend nuk mund të përmirësohet me lajthitje butaforike e larje duarsh nga përgjegjësitë. Është koha që përgjegjësit për këtë situatë të vihen para përgjegjësisë”, përfundoi deklaratën e tij në selinë e PD-së, deputeti, Arben Ristani.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)