TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar sot me një deklaratë për media mbi akuzat e Ministrit Ditmir Bushati, duke thënë se “ai është selektiv dhe bëhet për shkak të asaj që zonja Spahiu dhe mbiemri i saj përfaqësojnë”.
 
“Ky sulm është në vijim të fushatës politike, reformës politike që ministri Bushati po bën në Ministrinë e Jashtme, në shërbimin tonë të jashtëm, që dëshmohet me kriteret që përcaktojnë kur njerëzit qendrojnë në Ministri apo dalin në listë pritje, që duket me propozimet e bëra për kandidatët për ambasadorë, ku nga 11 kandidatura, 6 janë politike. Pra, jo nga shërbimi i brendshëm i karrierës së diplomatëve shqiptarë”, vërehet në këtë deklaratë të Partisë Demokratike.
 
“Siç është bërë e ditur edhe në media, nga vetë zonja Spahiu, pra ish-konsullja jonë në Milano, me dokumenta zyrtarë, shërbimi i ofruar nga ajo në një moment fluksi e kërkese të rritur nga emigrantët shqiptarë, për tu pajisur me pasaporta dhe kartë identiteti biomektrike, pra shërbimi për të cilin ajo akuzohet, ka marrë miratimin e autoriteteve të MPJ në kohën e ministrit Haxhinasto, përmes një komunkimi transparent”,- vijohet më tej nga PD-ja, ndërsa komentohet mbi akuzat e Bushatit mbi një procedurë të miratuar nga Haxhinasto.
 
“Pra, gjithçka ka qenë transparente me një komunkim të arkivuar, të dokumentuar në MPJ. Ky është një sulm selektiv, konsullata është pjesë e ministrisë dhe nuk kuptohet kë ka dashur të sulmojë zoti Bushati. Kka dashur të sulmojë ministrin që ka miratuar dhe aprovuar këtë procedurë, apo Konsullen që ka zbatuar një shkresë të miratuar nga ministri i kohës zoti Haxhinasto”, thuhet në përfundim të deklaratës.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)