PD: Taksat e bëjnë karburantin në
Shqipëri më të shtrenjtin në botë

PD: Taksat e bëjnë karburantin në<br />Shqipëri më të shtrenjtin në botë
TIRANE - Partia Demokratike ka reaguar sërish për çmimin e lartë të karburantit në vendin tonë. Sipas deputetes së PD Jorida Tabaku, qytetarët shqiptarë paguajnë sot karburantin më shtrenjtë se të gjithë vendet e rajonit megjithëse çmimi i hidrokarbureve në bursë ka rënë.

Sipas PD mazhoranca mban të gjithë fajin që sot qytetarët paguajnë kaq shumë për naftën dhe benzinën pasi kjo e fundit ka rritur vazhdimisht taksën e qarkullimit. Edhe fermerët sipas Tabakut janë prekur shumë nga rritja e çmimit të karburantit pasi janë rritur të gjitha çmimet për produktet bujqësore.

Ditët e fundit çmimi i karburantit në vendin tonë ka hapur një debat mjaft të gjerë.

tabela e pd per naften 


Më poshtë deklarata e plotë e Jorida Tabakut:

”Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin se rritja e taksave është një faktor kyç që ka ndikuar drejtpërdrejtë në mos uljen e çmimit të naftës aq sa vendet e rajonit. Për dy vite me radhë qeveria ka rritur taksën e qarkullimit çdo herë me 120 lekë. Si rezultat i këtyre dy rritjeve shqiptarët paguajnë shtesë 240 lekë për çdo litër karburant që përkthehet në 1000 lekë taksa për çdo litër karburant. Qytetarët e vendit paguajnë 1.40 euro/litër diesel në pikat e karburantit më shtrenjtë se sa Gjermanët që e paguajnë 1.34 euro/litër, Hungarezët 1.26 euro/litër apo edhe maqedonasit që paguajnë 1 euro/litër. Pra, jemi një vend lider për sa i përket çmimit të dieselit në treg dhe kjo falë taksës së qarkullimit e cila është rritur gjatë dy paketave fiskale të qeverisë së rilindjes. Konsumatorët, paguajnë 240 lekë më shumë për taksën e qarkullimit se sa në dhjetorin e vitit 2013. Nëse në Dhjetorin e vitit 2013 qytetarët paguanin 538 lekë/litër taksa pa TVSH-në e përfshirë, falë dy rritjeve të taksave ato paguajnë 240 lekë/litër më shumë. Kjo rritje ka ndikuar drejtpërdrejtë në çmimin e karburantit që megjithëse cmimi për barrelë në krahasim me dhjetorin 2013 ka rënë me 30$, cmimi në vendin tonë nuk lëviz. Duke ndikuar edhe tek bizneset, që kanë rritur çmimet e produkteve të tyre, sidomos produktet e fermerëve duke ndikuar drejtë për drejtë tek çmimet e produkteve bujqësore. Për ato që nuk kanë sy të shikojnë e veshë të dëgjojnë, llogaritë janë të qarta plot 1000 lekë taksa për litër! E ndërkohë që çmimi në bursa ndryshon, e kursi i këmbimit ndryshon si përqindje taksat vazhdojnë të rriten! Duke patur parasysh pagën mesatare mujore në Shqipëri, që është 52150 lekë/muaj, llogaritë janë të thjeshta dhe shqiptarët paguajnë 10% të të ardhurave të tyre si rezultat i rritjes së cmimit të karburantit. Nuk e dimë se sa do t’i vijnë në ndihmë qeverisë, politikat e saj patetike në të mirë të shëndetit ndërsa qytetarëve të vendit kjo papërgjegjshmëri do t’i kushtojë sipas institucioneve ndërkombëtare një dëm prej 0.7% të produktit të brendshëm. Dëm, që na vjen si dhuratë për shkak të mos uljes së çmimit të karburanteve që po ndikon në gjithë zinxhirin e prodhimit dhe konsumit. Për sa më sipër, jemi të vendosur në betejën tonë, për të mbrojtur dhe për të qenë zëri i qytetarëve kundër një qeverie që dita ditës po i merr frymën. Për këtë arsye i kërkojmë qeverisë të rishikojë paketën fiskale për të ulur taksën e qarkullimit e cila po ka efekte të konsiderueshme në ekonomi. I kërkojmë qeverisë që t’i thërrasë arsyes, jo sepse kështu kërkon opozita, por sepse i ka vendosur lakun në fyt ekonomisë dhe konsumit të qytetarëve. Sepse kjo është kërkesa e përsëritur e bizneseve, qytetarëve, dhomave të tregtisë e fermerëve.”- tha Tabaku.

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve