Kjo protestë do të vijë në një kohë kur Parlamenti do të mbajë seancën e fundit për këtë vit, pasi pas saj deputetët do të marrin pushimet për festat e fundvitit.
Fakti u bë publik në një deklaratë që bëri nga selia e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike i cili iu bëri thirrje të gjithë të rinjve që janë të zhgënjyer nga keqqeverisja që të dalin dhe të protestojnë kundër qeverisë, që sipas tij, po i varfëron çdo ditë e më tepër shqiptarët.
“Të djathtë, të majtë, të paparti të marrin pjesë në këtë protestë kundër kësaj qeverie që po na e vrasin shpresën, shtojnë pasurinë e tyre në kurriz të shqiptarëve. Thirrje për çdo kënd, të ri e të rritur, të cilët janë kundër qeverisë” ka thënë Këlliçi.
Ai shtoi se, kjo protestë është për të rinjtë që skanë mundësi të studiojnë, pasi ndryshimi nuk vjen duke ulur kokën, por nëse bëhemi të gjithë bashkë, tha ai, Shqipërisë do i hapet një rrugë të re zhvillimi.
Nuk përjashtohet mundësia që protestuesit demokratë të qëllojnë sërish me vezë apo domate automjetet e ministrave dhe deputetëve të mazhorancës. Kjo do të jetë dhe protesta fundit e PD për këtë vit. Opozita pritet t'i rinisë protestat në janar të vitit të ardhshëm.
Deklaratë e kreut të FRPD, Belind Këlliçi
Ndërkohë që gjendja në vend po shkon keq e më keq, ekonomia po zhytet thellë e më thellë në krizë, papunësia rritet, pamundësia për të vazhduar studimet shtohet, është koha që ne të rinjtë të rimarrim sërish në dorë fatet e vendit, ashtu si 25 vite më parë.
Të hënën ne duhet të jemi të gjithë sëbashku, të djathtë, të majtë e të pa parti sepse ne të gjithë po vuajme njësoj, të gjithëve njësoj po na e vrasin shpresën qeveritarët e sotëm që të vetmin shqetësim që kanë, është të shtojnë pasuritë e tyre marramendëse.
Thirrja për çdo të ri vjen nga padrejtësia e thellë, ku gjysma e shqiptarëve janë goditur në bukën e gojës, ndërsa Edi Rama dhe ministrat e tij renditen mes njerëzve më të pasur në Europë.
Thirrja vjen për çdo të ri i cili në pamundësi për të gjetur një vend pune sheh si zgjidhje largimin nga vendi. Thirrja vjen për çdo të ri që sheh dhe ndjen dhimbjen e prindërve që skanë mundësi të paguajnë faturat e rritura të energjisë, ndërkohë që në kurrizin tonë Edi Rama mbylli pazarin e turpit me CEZ, plot 600 milion euro.
Thirrja për çdo të ri vjen nga padrejtësia e Edi Ramës me ligjin e arsimit të lartë, duke mohuar të drejtën për studim, për ata që nuk i kanë mundësitë financiare.
Thirrja vjen për çdo të ri që ka një biznes që jo vetëm paguan më shumë taksa por nga nesër do të përfundoje në burg për një kupon, ndërkohë që sheh se si makina e ministrit të brendshem përdoret për trafik droge dhe nuk i ndodh asgjë.
Ndryshimi nuk vjen, nëse ne thjesht ulim kokën dhe e pranojme në dhimbje këtë situatë. Ndryshim vjen vetem nëse ne behemi të gjithë bashkë e hapim një rruge të re shprese dhe zhvillimi për rinine dhe Shqipërinë.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)