Drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, kërkoi sot nisjen e verifikimeve për konfliktin e interesit dhe nepotizimin në të gjitha universitetet publike në vend. Deklarata e PD merr shkasë nga disa raportime mediatike për punësime të personave me lidhje familjare në universitetin “Eqrem Çabej”
Deklarata e plotë e Lili Sulës
“Gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, universiteti me emrin e madh të shkencave albanologjike, Eqrem Çabej, në Gjirokastër, është shndërruar në simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri. Nepotizmi i shfrenuar, krijimi i dinastive familjare dhe politike sundon çdo hallkë të universitetit: nga punësimet te diplomat fantazmë; nga zbrazja e auditorëve te mjegullnaja e fondeve financiare, të lëvruara pa transparencë e shpesh në funksion të interesave të ngushta të drejtuesve që shkojnë deri në pikën e mospagesës për pedagogë të brendshëm kundrejt qokave për pedagogët e jashtëm.
Raportimet mediatike dhe nga terreni dëshmojnë se grupet nepotike kanë uzurpuar çdo strukturë universitare:
– Në zyrën e kurrikulave gjendet ish-sanitarja e Universitetit, edhe pse ky pozicion kërkon profesioniste për ekspertiza të mirëfillta.
– Nuk ndodh kund në botë që zv. rektorja dhe përgjegjësja e marrëdhënieve me jashtë e universitetit, njëkohësisht kryetare e këshillit bashkiak të Gjirokastrës, e pagëzuar me titullin ‘Lubia e universitetit’ pedagogia e anglishtes M. I. të ketë edhe dy kunatat dhe dy kushërirat e para pedagoge.
– Ish-rektori B. M. ka djalin dhe nusen e djalit dhe krushkun pedagog dhe një person të afërt sekretare.
– Një tjetër ish-rektor, G. S., aktualisht zv/rektor ka edhe bashkëshorten shefe departamenti të historisë edhe djalin pedagog.
– Kryetari i bordit të universitetit, pedagogu, Th. T. ka marre edhe dy motrat pedagoge.
– Dekani i shkencave të Natyrës, S. M., ka dy vajzat pedagoge dhe nusen e nipit laborante.
– Në degën e studimit të Greqishtes janë 5 pedagogë në lidhje bashkëshortore dhe familjare shumë të afërta.
– Kancelari dhe administrator S. G., ka 2 pedagoge, vëlla e motër, 2 kushërinj.
– Nepotizmi që është shtrirë në të gjitha strukturat akademike në këtë universitet e ka pasur më të lehtë të zaptojë administratën: pesë anëtarë nga familja Shehu punojnë në administratë.
Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së Universitetit të Gjirokastrës i cili nga qendër e dijes dhe kërkimit, është kthyer në një rrjet interesash të ndërthurura familjare dhe politike, ndërsa merita është zëvendësuar nga klientelizmi dhe korrupsioni.
Në këtë realitet të rëndë, ministria e arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sikur të jetojë në ishull, ironikisht, flet për hartimin e strategjisë 2027-2032 me prioritet cilësinë; për krijimin e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë dhe për ndërkombëtarizim të arsimit të lartë; për rishikimin e ligjit 80/2015, pas 11-të vitesh nga hyrja e tij në zbatim, pa zënë me gojë kolapsin e plotë universitar, që nuk karakterizon vetëm një universitet, por prej vitesh, ka ngërthyer gjithë sistemin universitar publik në vend.
U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe organeve të drejtësisë që të nisin pa vonesë verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.
Vetëm përmes transparencës, hetimit të paanshëm dhe ndëshkimit të çdo shkeljeje ligjore mund të rikthehet besimi i publikut dhe të garantohet funksionimi i një sistemi universitar të bazuar në meritë dhe integritet."
Komente











