"PD tërhiqet nga 2/3", Paloka:
Reforma votohet dhe pa Ramën

Reforma votohet dhe pa Ramën">
TIRANE - Demokratët duket se janë tërhequr nga debati i nxehtë i deri pak javëve më parë për votimin me 2/3 të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, përballë shumicës të cilësuar me 3/5-at e deputetëve që kërkonte mazhoranca. Sikundër deklaroi këtë të hënë kreu demokrat Basha pas takimit që pati me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, se "opozita është për dialog pa kushte me mazhorancën", kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka u shpreh në "5 Pyetjet nga Babaramo" se në thelb të bashkëpunimit për reformën në drejtësi është vetëm konsensusi. 

"Ne kemi të panegociueshme konsensusin. Idea është që të bëhet me konsensus, dhe këtë e tha edhe Komisioni i Venecias. Sepse për numrin e votave nesër mund të vijë një parti që të marrë 110 deputetë, e të vendosë cfarë ligji të dojë, se ky është mentaliteti i Ramës që e tregon tek partia e tij. Thelbi është konsensusi, jo nurmi i votave në Parlament. Nëqoftëse arrihet ky konsensus, atëherë kemi një reformë të qendrueshme. E tha edhe Venecia: Nuk është i rëndësishëm numri i atyre që do e votojnë, por dakordësia mes palëve politike", u shpreh Paloka. 

"Reforma ne drejtesi mund te votohet edhe pa Ramen"
Në përgjigje të deklaratës që kryeministri Rama bëri nga parlamenti të enjten se "reforma në drejtësi do të votohet do apo nuk do opozita", Paloka dha një deklaratë edhe më të fortë, kur u shpreh se reforma mund të votohet edhe pa Ramën. Nuk dihet nëse deputeti i referohet një zvarritjeje në kohë procesit të reformimit të sistemit gjyqësor deri në mbarimin e mandatit të qeverisë Rama në 2017-ën, apo nëse Paloka i referohet zgjedhjeve të parakohshme që opozita kërkon të mbahen për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin.

​"Reforma në drejtësi do të votohet dhe këtë nuk ka nevojë ta thotë Rama. Por se kur do votohet nuk varet nga Rama, mund edhe të votohet pa Ramën. Ai nuk është i përjetshëm as si kryeministër, as si kryetar partie", tha kreu i grupit parlamentar të PD-së. 

edi paloka ne 5 pyetje

"Edhe 10 here te kandidoje Blushi, Rama do te fitoje"
Në lidhje me debatin e brendshëm për nevojën e zgjedhje për kryetarin në Partinë Socialiste, Paloka tha se  shqiptarët e kanë të qartë se në mentalitetin e Ramës nuk ekziston mundësia e zgjedhjeve. Ai shtoi se kandidatura për lider socialist që ka shpallur Ben Blushi nëse do të mbahen zgjedhjet, nuk ka asnjë shans për fitore. "E dimë ne që dhjetë herë të kandidojë Blushi me Ramën nuk do i fitojë Blushi", tha Paloka.

"Rama e kerkoi me emergjence, pse vonohet Byroja?!"
Demokratët e quajnë tendencë për bllokim, faktin që mazhoranca kërkon që Byroja Kombëtare e Hetimit të diskutohet e miratohet paralelisht me reformën në drejtësi sapo të vijnë opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias për draftin e reformimit të gjyqësorit dhe ndryshimeve kushtetuese. Paloka tha se projektligji për Byronë e Hetimit nuk ka përse të bëhet pjesë e një pakete, kur për të është rënë në dakordësi nga palët politike.

"Projektligjet nuk kanë pse të vijnë në paketë, aq më tepër kur kjo u konsiderua si emergjencë nga kryeministri Rama që në ditët e para të qeverisjes. Ka një duel të heshtur për kapjen e drejtësisë, Rama e ka shprehur hapur ambicien për të kapur çdo institucion. Një nga kërcënimet që i bën Rama Metës është që të huajt më kërkojnë të të fus në burg, dhe këtë ai e përdor për ta mbajtur Metën varur në koalicion. Ndërkohë Meta ka armën e tij, prishjen e koalicionit. Dy palët janë në një fill rreziku, kërcënimi mes tyre. Rama në intervistën e tij në emisionin tuaj kishte deklarimin ndaj Metës që nëse nuk më voton reformën unë prish koalicionin, dhe kjo erdhi si kundërpërgjigje ndaj Metës. LSI tha se nuk jemi ne që e pengojmë Byronë e Hetimit. Edhe PD nuk e pengon, atëherë është Rama ai që e pengon", tha deputeti demokrat. 

"Denimi im, fakt se Rama presionon gjyqtaret"
Drejtësia nën presionin e kryeministrit - tha Paloka - ka shkuar deri aty sa dënon deputetët pa i lënë të mbrohen, duke ju referuar rastit të tij që u dënua nga Gjykata e Lartë për deklaratën e bërë nga Kuvendi se "Rama është i lidhur me krimin".

"Një deklaratë që sot e bën Ben Blushi dhe një tjetër deputet i tij, e bën edhe organizata ndërkombëtarë. Dhe çfarë ndodh? Gjykata e Lartë dënon dy krerë të opozitës për këtë deklaratë. Gjykata ka dënuar edhe Ballën me Tahirin, por për shpifje ordinere ndaj fëmijëve të Berishës. Le të dalë një gjyqtar të thotë se Sali Berisha më ka bërë presion për një cështje. Ndërkohë që tani kanë dalë gjyqtarë publikisht që kanë thënë se Rama i ka marrë në telefon. Erdhi në Gjykatën e Lartë dhe i tha cop gjyqtarëve se vendimi që do merrni ju lidhet me karrigen time", u shpreh Paloka.

edi paloka ne 5 pyetje

Intervista e plotë

Do doja ta nisnim bisedën nga kërkesa e PD për të futur me urgjencë projektligjin, Byronë e Hetimit për ta aprovuar në parlament.

Nuk ka as urgjencë dhe asgjë të papritur sepse ky projektligj ka që në tetor të vitit të kaluar që është jo vetëm i gatshëm por dhe i dakortësuar nga të gjitha palët palët.

Ju votuat kundër, madje iu drejtuat edhe Gjykatës Kushtetuese.
Nuk bëhet fjalë për atë projektligj. Ai që ne votuam, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me të drejtë, pasi kalonte kompetencat e prokurorit dhe prokurorisë në duart e kryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm.

Në projektligjin që keni propozuar, çfarë parashikohet?
Nuk e  kemi propozuar ne, është i pargatitur nga specialistit amerikanë. I është paraqitur palëve që kanë rëndë dakortë. Mbulon problemin e kushtetueshmërisë së Byrosë.

Ku dallon nga i pari?
Në dy detaje. Aspekti i kompetencës së hetimit i lihet atij institucioni që e ka edhe me kushtetutë. Nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Është interesant se mbasi është rënë dakort nga palët sot pas kaq muajsh dilet dhe na thuhet do presim Venecian, do kalojë me reformën në drejtësi. Duket që Rama është penduar dhe janë faktorë të tjerë që kanë ndikuar, mund të marrin LSI, për ta penguar.

Për cilin projekt e keni fjalën?
Rama është shprehur, në cdo takim me ndërkombëtarët se ai që e pengon është Ilir Meta ose Ylli Manjani. Dhe kjo ka sjellë edhe konfliktet e fundit mes mazhorancës por nuk është PD. Ne mbasi pamë një periudhë heshtje, kërkuam që projektligji të kalojë në parlament. Kjo bëri të shfaqen kontradiktat dhe reagimet normale të Ramës, i cili njeri bën sikur ka vendosur të heshtë , pastaj kërcënon që të gjithë do e votoni atë që do sjell unë. Për një ekscentrikë si Rama kjo është normale. Është tashmë gati një projektligj për Byronë e hetimit, që vërtet ka qenë në  programin e PS, por që sot është e dakortësuar nga të gjitha palët?

Përse të mos aprovohet projektligji i reformës në tërësi?Të jetë një reformë integrale.
Është një projektligj për të cilin është rënë dakort, s’ka nevojë të bëhet pjesë e një pakete. Projektligjet nuk kanë nevojë të vijnë në grup, aq më tepër kur kjo u konsiderua si emergjencë. E mbani mend Ramën në ditët e para të  qeverisjes ai foli për Byronë e Hetimit... Tani që projektligji është në përshtatje me kushtetutën, ai nuk do të dëgjojë për të.

Që një projektligj të kalojë duhet të kalojë një procedurë.
Kjo është ana tjetër e errët sepse aty na thuhej se nuk ekziston ky projektligji. Pastaj u pranua që komisioni i reformës në drejtësi ka dijeni për këtë siç e pranoi dhe Rama në parlament, mbetet për t’u sqaruar  ka apo jo dijeni LSI. Pastaj hyjmë te ajo pjesa e intrigave të maxhorancës dhe reformës në drejtësi e cila ka kaluar tashmë kufijtë e një imagjinate thrriller.

Përse të mos përfshihet Byroja e hetimit në një paketë me reformën ne drejtësi?
Pse të mos miratohet reforma në drejtësi. Nuk ka asnjë arsye. Ata që e nxjerrin këtë argument, nuk kanë këtë qëllim. Gjithçka që thuhet është për të fshehur të vërtetën. Sot ka një duel të heshtur për kapjen e drejtësisë. Rama e ka shprehur hapur këtë ambicie dhe ka arritur deri aty që të kërcënojë se do fusë në burg, këtë e atë. Një nga ata, më i përfoluri është Ilir Meta. Janë bërë pothuajse hapur deklaratat, jo publike, por as private nuk kanë qenë. Dihet që një nga kërcënimet që vazhdon t’i bëjë Rama Metës, është që të huajt më kërkojnë të të fusë në burg. Ndërkohë që Meta ka armën e tij të kundërmbrojtjes dhe kundër sulmit, prishja e koalicionit. Dy palët mbajnë njëri tjetrin në një fill kërcënimi mes tyre.
Emisioni juaj u bë arena e kërcënimit të fundit të  Ramës ndaj Metës. Nëse nuk më voton reformën unë prish koalicionin. Reforma është e nevojshme për të zgjidhur problemet e drejtësisë sot, por jo për ta përdorur x apo y.

Me këtë që po më thoni po më krijohet një asosacion me 2008 ku PS dhe PD u bënë bashkë për të ndryshuar kushtetutën. Kjo e Byrosë është hartuar nga ministri i Brendshëm. Ju thoni që Ilir Meta është kundër.
Unë thashë që Rama ju thotë të huajve prej kaq kohësh që më pengon Ilir Meta. Këtë e di shumë mirë edhe LSI. Dalja e Spartak Brahos, në parlament kishte këtë qëllim, që t’iu tregonte ndërkombëtarëve që nuk është LSI që e pengon Byronë, por mbetet Rama. Sot jemi realisht në këtë opozitë. Komisioni i Venecias e ka dhënë mendimin për këtë pikë. Meqë më dha një përgjigje negative sot, unë po ia kërkoj dhe njëherë se mos më thotë nesër po.

Ju i keni kundërshtuar modalitetet teknike të reformës në drejtësi. A mendoni se me Byronë i jepni një kobure kryeministrit për një drejtësi selektive.
Jo. Ky organizëm propozon që të jetë në varësi të Ministrit të Brendshëm. Është individi që ka treguar se drejtësinë jo vetëm e do në duart e tij, por kërkon ta përdorë jo vetëm kundër opozitës por edhe aleatëve. Ka me dhjetëra raste ku drejtësia ka vepruar qartazi në kundërshtim me kushtetutën dhe në varësi të dëshirave të Ramës. Kemi deputetët të maxhorancës që për akte kriminale, kanë dalë të pafajshëm dhe deputetë të opozitës janë dënuar për fjalën e lirë. Unë jam dënuar nën presionin e Ramës, për një nene që praktikisht nuk ekziston më.
Në kodin penal është dekriminalizuar shpifja. Dhe ne, edhe në kundërshtim me disa procese të tjera, ne u dënuam. U dënuam pa na u lënë të mbrohemi, pa na pranuar provat sepse Rama është i lidhur me krimin. Një deklaratë që e bën Ben Blushi, organizma ndërkombëtarë. Gjykata e Lartë dënon dy krerë të opozitës për këtë çështje.

Si dilet nga kjo situatë?
Le të dalë një gjyqtarë, një prokuror dhe të thotë që Sali Berisha apo dikush poshtë tij më ka marrë në tel dhe më ka kërcënuar.  Erdhi në Gjykatën e Lartë në gjyqin tonë dhe ju tha copë që vendimi që do merrni ju lidhet me karrigen time. Nëse ju do vendosni në favor të Palokës, atëherë ju keni vendosur kundër karriges sime. Unë jo se i bëj të pafajshëm anëtarët e Gjykatës së Lartë  por kur vihen nën presionin e kryeministrit është e kuptueshme si do veprojë kushdo.
Sot është rënë dakortë për një projektligj që nuk e cënon kushtetutën. Janë partitë e maxhorancës që po përdridhen. Njëherë Rama, tani pas një nate të gjatë në vilën 30 doli edhe Meta që tha do presim Reformën në Drejtësi.
 
Për reformën në drejtësi, a nuk lëvizni nga 2/3?
Ne e kemi të panegociueshme konsensusin. Ideja nuk është që do ta bëjmë me 84 apo 94 por që të bëhet me konsensus. Rëndësi ka konsensusi, këtë kërkojmë ne, këtë tha edhe Venecia. Nëse arrihet ky konsensus atëherë kemi jo vetëm një reformë të mirëqenë.

Cilat janë klauzolat ku ju nuk lëshoni pe?
Nuk bëhet fjalë, për numër votash por për konsensus. Nuk është i rëndësishëm se me sa do votohet, por dakortësia. Rama ka bërë dhe deklarata që unë do ti marrë 84 vota.
Ai tha që do vini ta votoni me një këmbë?
Presioni deri më sot ka qenë ndaj tij dhe do vazhdojë të jetë derisa ai kërkon ta vejë drejtësinë nën thundrën e tij. Këtë s’do e pranojnë as ndërkombëtarët as opozita. Në fund fare reforma do votohet. Nuk ka nevojë ta thotë Rama. Por si do votohet kjo nuk varet nga Rama. Mund të votohet dhe pa Ramën. Reforma është ajo që do bien dakort të gjithë. Nëse Rama vjen me idenë që unë do zgjedh gjithçka këtë ta harrojë dhe këtë s’ia voton askush. Nuk e pranon asnjë institucion.

Nëse Venecia i hedh poshtë pretendimet tuaja?
Venecia e ka dhënë përgjigjen. Kryesorja është konsensusi. Asnjë kryeministër nuk mund ta marrë drejtësinë në duart e tij.

Ligji për dekriminalizimin ende nuk ka dhënë asnjë efekt...
Sepse ende nuk është plotësuar kuadri ligjor. Është në hapat përfundimtarë përgatitja e akteve nënligjore dhe e një deklarate që do duhet ta plotësojnë të gjithë deputetët. Është një nga aktet më të rëndësishme , me të cilën po merren edhe specialistët amerikanë. Janë të qarta pozicionet dhe do duhen pak javë që i gjithë kuadri ligjor të jetë i përgatitur. Pastaj do procedohet në hapa konkretë, për të gjithë ata që i përfshin ky ligj.

Shpesh nga PD vijnë dy qëndrime shumë larg njëri-tjetrit. Njëri i Bashës dhe i Berishës. Rasti më i fundit ishte arrestimi i Kserës. Pati një deklaratë nga Ristani i
cili tha drejtësia të veprojë, nuk kishte asnjë nuancë mbrojtje, ndërkohë Berisha e konsideroi arrestim politik.

Nuk ka asnjë mospërputhje. Ne e kemi thënë dhe do ta themi që jemi që drejtësia të veprojë e pavarur edhe ndaj ish funksionarëve të PD. Pjesa tjetër nga ajo që ngriti Berisha. Ai ka thënë që gjithë forma që u ndoq për arrestimin ishte e kundërligjshme. Është tjetër gjë që ne jemi dakort të hetohet kushdo me faktin se si ka vepruar. Në këtë rast, prokuroria apo ato kanë zbatuar arrestimin e tij. Ka disa raste kur për show, bëhen veprime që shkelin ligjin. Po të ishte në një vend tjetër demokratikë, që aty me një avokat mesatar çdokush del e shkon në shtëpi. Ka një arsye pse ndiqet një rregull i caktuar në procedurat e ndalimit e arrestimit. Për shkeljen e procedurave ka folur Berisha. Është bërë edhe në rastin e Fullanit dhe në raste të tjera.

Në 8 vjet qeverisje të PD ka patur korrupsion çka ka qenë dhe një nga shkaqet që shqiptarët nuk e votuan. Rasti i Kserës është rasti më domethënës apo ka raste të tjera?
Nuk marr përsipër të gjykoj as rastin e Kserës as raste të tjera. Ato janë cështje të drejtësisë. Po e njëjta drejtësi nuk vepron ndaj rasteve skandaloze që janë në sy të publikut. Cdo ditë, çdo orë ministrat kapen në flagrancë me akte korruptive, nga Beqja, Gjiknuri, Tahiri. Bëhen publike fakte që vërtetojnë korrupsionin e këtyre ministrave dhe nuk ndodh asgjë. Kemi rastin e Tahirit që ka deklaruar mëse njëherë që ka shkelur ligjin, si fshehja e shitjes së makinës, takimi me kriminelë.

Rama së fundmi ka deklaruar se vetëm 14 koncesione ka dhënë, ndërkohë që ju keni dhënë mbi 170.
Qeveria jonë ka dhënë, por 99% janë hidrocentrale. Një koncesion është ai praktikisht si formë dhe ku është ndryshimi mes koncesioneve tona dhe PPP-ve të këtyre? Koncesioneve tona i është dhënë një firme, dhe vetëm sa ka shitur energjinë me atë që ka prodhuar në hidrocentral.

Rama thotë çmimin e keni fiksuar më të lartë...
Ca ndodh me koncesionet e Ramës? I marrin dhe paguajnë me miliona euro nga shteti. Ai që quhet koncesion paguhet po nga ne. Të gjithë janë miq të Edi Ramës, nga Vilma Nushi, tek Papuli, Carapuli. Këtyre iu jepen para nga shteti, që ata të bëjnë dhe fitimet e tyre. Kjo është vjedhje e hapur në mes të ditës. Ne ua jepnim ta ndërtonin vetë me paratë e tyre.  Këta iu japin paratë tona të gatshme. Si shpjegohet që këtu këto koncesione i marrin të njëjtit njerës. Vilma Nushi nga tregtare cigaresh na del papritur edhe si specialiste në shëndetësi.

Ju, Basha e drejtues të tjerë keni deklaruar se po pregatiteni për zgjedhje të parakohshme.
Nuk bëhet fjalë për të përmbysur këtë maxhorancë në parlament, por fakti që situata po shkon drejt rëndimit dhe reagimi qytetar është i tillë ne  e presim ndryshimin nga qytetarët. Reagimi qytetarë do çojë në këtë ndryshim.

Jeta parlamentare ka treguar se zgjedhjet dhe maxhorancat nuk ndryshohen në rrugë.
Në fakt janë ndryshuar në rrugë e asnjëherë në parlament. I ndryshojnë qytetarët. Zgjedhjet kanë një arsye. Ky zotëria që është kryeministër, që mburrej se kishte marrë 1 milionë vota, nuk i mora për atë për këto që i quan reforma. I ka marrë për premtimet që u bëri. Nuk e mori votën që t'i kalojë shëndetësinë Vilma Nushit, por duke thënë që shëndetësia do jetë falas.
Nuk krijohet diversion brenda PS po thamë ne një fjalë. Ajo që shqiptarët e shohin është se në mentalitetin e tij, nuk ekziston mundësia e zgjedhjeve. E dimë ne që dhjetë herë të kandidojë Blushi me Ramën nuk do i fitojë Blushi.

Nga 2005 dhe deri tani, është një realitet që LSI ka përcaktuar fituesin. A mendoni se për të ardhur në pushtet ju duhet një koalicion me LSI
Unë mendoj se pushtetin e kanë qytetarët në dorë. Po të shohësh që nga 91 e deri më sot maxhorancat kanë kaluar nga njëri ekstrem te tjetri. Ekziston kjo teori që partitë kanë militantët, por janë përqindje e vogël. Ajo pjesa që quhet pjesa gri e elektoratit ka vendosur dhe do vendosë. Nuk mund të ketë parti që të ketë maxhorancën absolute me fanatikë.

E përjashtoni një koalicion me LSI?
Sot LSI është pjesë e kësaj që ne e quajmë e keqe që u ka rënë shqiptarëve. Ne nuk mund të bëjmë koalicion me një pjesë të së keqes.
 
Kështu thoshte dhe Rama..
Ai bëri koalicionin e gjithë qelbësirave.

Një koalicion qeverisës?
Pozicioni ynë është i qartë. Ne nuk mund të bëjmë koalicion me atë që ne e konsiderojmë pjesë të së keqes. Nuk mund të flasim sot çfarë do ndodh pas zgjedhjeve. Është e paparashikueshme. Pozicioni ynë nuk ndryshon.


Redaksia Online
(Gre.M/U.S/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois