TIRANË, 22 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ - Partia Demokratike i bëri sot thirrje   qeverisë, të reflektojë dhe te tërhiqet nga vendimi për testimin e mjekëvë, të cilin e konsideroi si të rrezikshëm, dhe që sjell thellimin e përplasjeve me personelin e sistemit shëndetësor.
Përfaqësuesi i PD, Tritan Shehu përshëndeti me kete rast, Urdhërin e Infermiereve për paraqitjen e kundërshtimit në Gjykatën Administrative të vendimit qeveritar për të ashtuquajturin "testim".
Gjithashtu Shehu përshëndeti solidaritetin e plotë të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve, laborantëve etj, të demostruar këto javë për të ndaluar këtë projekt të paligjshëm e diskriminues ndaj atyre vetë.
Por, theksoi Shehu, "fatkeqësisht, qeverisja në vend  të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personelin e sistemit shëndetësor. Ajo po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhërave, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj.
"Në këtë mënyrë po kërkohet që artificialisht të krijohen konflikte të pa nevojshme mjekë-pacientë, për të fshehur përgjegjësitë për problemet e mëdha dhe reale të atij sistemi. Kërkohet  që nëpërmjet këtij "testimi" arbitrar të hidhet mbi personelin shëndetësor përgjegjësia për atë çfarë po ndodh me të gjithë përbërësit e shëndetësisë shqiptare", theksoi Shehu.
"Po tentohet nga ana tjetër shtoi ai, "që ky personel të mbahet i heshtur dhe i terrorizuar, si dhe që vendet e punës të rindahen sipas vullneteve politike e klienteliste", theksoi Shehu.
/f.n/