TIRANE - Pavarësisht se për 8 vite me radhë në pushte Partia Demokratike dhe kreu i saj Sali Berisha kanë deklaruar se protestat kundër qeverisë dhe bojkoti i Kuvendit janë në dëm të qytetarëve, vendit dhe integrimit evropian, në tetë vitet e asaj në opozitë para vitit 2005 nuk është se ka pasur sjellje prej engjëlli.

Madje në jo pak raste ka shkuar nga bojkoti tek braktisja e Kuvendit në kushte shumë të vështira, nga protestat me ‘molotov’ deri tek grushti i dështuar i shtetit. Kreu i opozitës së atëhershme e ka filluar që kohë më parë bojkotin e Kuvendit, qeverisë e protestat e dhunshme për të ardhur në pushtet më 22 mars të vitit 1992. Por pas largimit nga pushteti në korrik të vitit 1997, opozita e atëhershme e udhëhequr nga Berisha sot i dorëhequr nuk u pajtua me rezultatin duke bojkotuar Kuvendin për muaj e muaj me radhë.

Dhe duke e vënë qeverisjen e Nanos asokohe nën presion, derisa më 14 shtator, duke shfrytëzuar vrasjen e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, tentoi një grusht shteti duke marrë me forcën e armëve kryeministrinë, TVSH dhe vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve e qëndresës së Presidentit të asaj kohe Miedani, bëri që të dështonte një tentativë e tillë e dhunshme.

Dhe nuk kanë reshtur bojkotet ndaj Kuvendit dhe protestat e tjera të dhunshme, madje dhe në momentet më të vështira të luftës së Kosovës, ku kërkohej rrëzimi i qeverisë Majko, dhe më pas ndaj ish-kryeministrit Meta, në tentativën që duke filluar nga Tropoja të merrnin me radhë të gjitha komisariatet e policisë në vend. Më pas Berisha ka bojkotuar dhe Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001 me argumentin se përmes fenomentit të “Dushkut” i janë marrë mandate në tavolinë dhe tjerërsuar rezultati. Duke sjellë një bojkot të Kuvendit për disa muaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)