Nuk dihet nëse mazhoranca do të lëshojë sinjale bashkëpunimi në pritje të uljes në tryezë dialogu mes Ramës dhe Bashës për reformën në drejtësi, por ndryshimi i ligjit për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore do t’i nënshtrohen debateve në një seancë ku do të marrë pjesë dhe opozita. Ndonëse u bë efektiv vetëm muajin e kaluar me miratimin e akteve nënligjore, ligji dekriminalizimit mund të ndryshohet sërish me kërkesë të PD-së.
Kjo forcë kërkon të krijojë një precedent ligjor me rastin “Prenga” duke shtuar në ligj pezullimin nga detyra në rast se deputeti ose zyrtari arrestohet në flagrancë, pa pritur vendimin e gjykatës. “Nëse një funksionar publik arrestohet në flagrancë për kryerjen me dashje të një vepre penale kundër jetës ose shëndetit të shtetasve, atëherë krijohet dyshimi i bazuar për pamundësinë ligjore që ai njëkohësisht të ushtrojë funksionet publike në shërbim të qytetarëve. Për këtë qëllim, në nenin 2 është shtuar një formulim ndalues, i cili nuk passjell shkarkimin e tij nga detyra, për arsye të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, por pezullimin nga detyra deri në përfundimin e çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nëse funksionari publik deklarohet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë pezullimi konsiderohet i pushuar,”-thuhet në relacionin që shoqëron ligjin.
Por një precedent i tillë është i ngjashëm me atë të Strazimirit, i cili nëse do të ishte arrestuar nga policia gjatë protestës tek liqeni teksa mbante një armë pa leje, do të bënte vetë propozuesin viktimë. Vetë deputeti Gent Strazimiri është anëtar i Komisionit të Ligjeve, ndaj mbledhja e së hënës ngelet interesante në këtë drejtim. Përsa i përket ligjit të dekriminalizimit që është miratuar, zyrtarët duhet të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit të së shkuarës deri në 4 maj.
Kushti i dytë i opozitës që do të kalojë në votën e deputetëve të Komisionit të Ligjeve është ai për ndryshimin e komisioneve hetimore, duke i hequr mazhorancës mundësinë e bllokimit të punës së këtyre strukturave. Burime për Shqiptarja.com nga PD konfirmojnë se do të jetë një seancë plot debat mbledhja e këtij komisioni nesër, kjo për faktin se nismat janë futur sipas tyre në procedurë parlamentare në limitet kohore. Po sipas të njëjtave burime, të 3 kushtet e dakordësuara në dhjetor 2014 nën praninë e ndërkombëtareve, për të rikthyer opozitën në parlament janë në krizë. Kushti i tretë është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kushtet
Ndryshimet që propozon opozita për ligjin e funksionimit të komisioneve hetimore, si dhe amendimet e PD për ligjin e sapo miratuar të dekriminalizimit do të shqyrtohen sot në Komisionin e Ligjeve.
Bojkoti
Partia Demokratike do të thyejë bojkotin sot, për të marrë pjesë në komisionet parlamentare, ky do të shqyrtohen dy nga kushtet që ajo i ka vendosur mazhorancës. Kushti tjetër i saj është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)