TIRANE - Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot kandidatin e majtë për bashkinë e Tiranës se ai ka mashtruar qytetarët kur u ka premtuar se do të hapte 40000 vende pune.

Akuzat i ka bërë kandidati për këshill bashkiak i bashkisë së Tiranës Fabian Topollaj

Deklarata e plotë e Fabian Topollaj
Erion Veliaj na habit me përsëritjen e premtimeve për hapje vende të reja pune në Tiranë.
 
Edhe në 2013-ën Erioni premtoi: “40,000 vende të reja pune dhe 12,000 vende pune shoqëruese në industrinë prodhuese nëpërmjet financimit shtetëror të 120 milion USD në 4 vjet, në mbështetje të këtij sektori.”
 
Ky premtim doli mashtrim. Ku janë 40,000 vendet e reja të punës dhe 12,000 vende pune shoqëruese në industritë prodhuese? Ku janë financimet 120 miliona dollarësh?  Erioni ishte Ministri përgjegjës për ta realizuar këtë premtim. Ai kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për të realizuar këtë si edhe dhjetëra premtime të tjera që po ia përmendim çdo ditë. Ku janë vendet e punës të premtuara? Erioni premtoi por mashtroi.
 
Erioni prapë premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin.
 
Çdo ditë do t’i kujtojmë Erionit nga një tjetër premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim, sepse votuesit nuk do të mashtrohen përsëri. 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)