PD: Veliaj vijon punimet për parkun
edhe pse kundërshtohet nga qytetarët

PD: Veliaj vijon punimet për parkun<br />edhe pse kundërshtohet nga qytetarët
TIRANE -  Demokratët kanë denoncuar sërish këtë të shtunë ndërtimin e këndit të lodrave në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës Leonard Olli dhe sekretari për aksionin qytetar në PD Ervin Salianji thanë se punimet vijojnë edhe pse ky projekt është kundërshtuar nga shoqëria civile, ndërsa PD ka bërë edhe një kallëzim penal në Prokurori për kryebashkiakun Erion Veliaj për shpërdorim detyre. 

Edhe pse është mohuar nga Bashkia e Tiranës se në këndin për fëmijët nuk do të ndërtohet asnjë lokal apo restorant, demokratët thanë se Veliaj ka planifikuar të ndërtojë lokalin për mikun dhe klientin e tij.

“Çdo ditë policia e Shtetit dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nxjerrin lajm kur arrestojnë, burgosin qytetarë të cilët ngulin një gozhdë, suvatojnë ballkonet apo hapin një dritare. Ndërkohë në mes të Tiranës, në një park të mbrojtur me ligj ku nuk lejohet kategorikisht ndërhyrja bëhet ndërtim i paligjshëm. Siç e shikoni pas nesh, jemi në kushtet kur policia e Shtetit dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar mund të kapë në kushtet e flagrancës punjës që punojnë me urdhër nga kryetari i Bashkisë për të ndërtuar një vepër korruptive dhe klienteliste, jo një park lojërash siç thotë, por një lokal me vlerë 800 milionë lekë për klientët e vetë qeverisë. Ne para katër ditësh kemi dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Prokurorisë që ta hetojë sa më shpejt sepse kjo çështje është në ndjeshmëri të lartë publike dhe nga ana e Prokurorisë duhet të trajtohet siç i takon”, u shpreh Salianji.

LIQENI ARTIFICIAL
 
“Mendojnë se janë mbi ligjin dhe se mund të kapërcejnë të gjitha nivelet por kjo nuk do të kalojë. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore siç kemi vepruar deri më sot. Do të vijojmë betejën tonë në Këshillin Bashkiak të Tiranës në mënyrë që transparenca të bëhet e plotë dhe të gjithë shkelësit e ligjit pavarësisht se sot janë të veshur me pushtet, të mos i shpëtojnë ligjit. Eshte e qartë tashmë se klientët e Ramës po marrin në zotërim edhe parkun e liqenit dhe pë rfat të keq siç e kanë përcaktuar edhe diplomatët e huaj, qeni sulmues i ramës në Bashkinë e Tiranës nuk po ndalet dhe po kafshon gjithçka, tashmë edhe vetë liqenin artificial. Eshtë e turpshme dhe është koha që institucionet e pavarura të hetimit të veprojnë sa më parë sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me krim ekonomik dhe në kushtërshtim me ligjin, por mbi të gjitha kemi të bëjmë me vendosjes e mafies të betonit dhe përfitimit në kurriz të qytetarëve dhe ambjentit”, tha Leonard Olli.

Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike