Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi deklaroi se Rama refuzon t’u përgjigjet pyetjeve që sipas saj PD i ka shtruar në bazë të dokumenteve zyrtare. Bardhi ka përsëritur sërish pyetjet drejtuar Edi Ramës, në lidhje me pallatin 5-katësh të bashkëshortes së tij.
DEKLARATA E PLOTE E PD
“Prej kaq ditësh në vijim të pushimeve të tij luksoze në Karlovy Vary, Kubë, z. Rama që për vite me radhë u paraqit para shqiptarëve si i pastrehë dhe vetëm me 3 mijë euro kursime, hesht dhe struket para fakteve të dokumentuara që dëshmojnë korrupsionin personal dhe familjar të tij.
Z. Rama refuzon t'u përgjigjet pyetjeve të shtruara mbi bazën e dokumenteve zyrtare që po ja përsërisim edhe sot:
Z.Rama, si qëndron çështja e huasë 100 milionëshe të gruas suaj Linda Basha dhe kush është burimi i parave?
Cili është marrësi apo dhënësi i tyre?
Pse është mbajtur i fshehtë emri i tij dhe nuk është deklaruar sikundër e kërkon ligji në ILDKP?
A ka zj. Basha pasuri të tjera me burime të padeklaruara, të cilat i ka krijuar pas fillimit të lidhjes suaj dhe a ka ajo pasuri të përfituara apo të ndara me Barjabën, xhepistin tënd?
Z. Rama cila është e vërteta e pallatit të bashkëshortes suaj, ndërtuar në lulishten e fëmijëve të pallateve të ndërtuara vite më parë?
Z. Rama a keni qenë në konflikt interesi kur keni miratuar lejen e ndërtimit të pallatit të zj. Linda Basha dhe a keni qenë në dijeni për shkeljen flagrante të kushteve urbane dhe ligjit për urbanistikën në lidhje me këtë pallat?
A ka qenë sheshi ku ka mbirë pallati i gruas suaj Linda Basha, shesh i përbashkët i disa pallateve të lagjes?
Z.Rama, m.q.se investitorët e deklaruar të pallatit, një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta, nuk mund të kenë investuar për të ngritur një pallat 5 katësh, natyrshëm na lind pyetja:
A janë paguar firmat e ndërtimit të pallatit në para apo në natyrë, me leje ndërtimi apo ndonjë kontratë tjetër të favorshme nga Bashkia e Tiranës apo keni larë aty paratë e gjobave 20 %-e apo trafiqeve kriminale?
Përgjigja ndaj akuzave për korrupsion dhe konflikt interesi është çështje standardi personal dhe vlerësimi për publikun.
Ju z. Rama jeni i lirë ta bëni ose jo një gjë të tillë, por nëse strategjia juaj është të fshiheni pas trillimeve ditore të shpifësit tuaj të paguar për të ardhura me origjinë nga veprimtari profesionale, mësimdhënie, botime e kërkime shkencore, qira apartamentesh dhe trashëgimi familjare, bëhesh i mjerë dhe qesharak.
Pallati 5 katësh në sheshin e pallateve në Rrugën “Qamil Guranjaku” dhe kredia pa interes 100 milionëshe nuk mund të fshihen as në resortet luksoze turistike as edhe me shpifës të paguar. Minareja në thes nuk mund të futet”.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)