TIRANE- PDIU reagon ndaj vizitës së ministrit të Jashtëm serb,i cili ndonëse sot nis takimit me homologun shqiptar dhe kryeministrin Berisha ai ka mbërritur që prej ditës së djeshme.

PDIU tërheq vëmendjen tek takimet e ministrit të Jashtëm serb me përfaqësuesit e minoritetit serb. Takime të cilat janë zhvilluar pa praninë e medias dhe nga të cilat nuk duhet pritur ndonjë gjë e mirë

“Pse ky mister rreth takimit të tij me përfaqësuesit e minoritetit serb? Siç kuptohet në këto takime nuk ka patur asnjë media të Shqipërisë, gjë që i bën këto takime në territorin shqiptar, takime sekrete nga të cilat nuk duhet pritur ndonjë gjë e mirë.”- informon PDIU në një njoftim për shtyp të shpërndarë sot në mëngjes.
Më tej PDIU nënvizon se pavarësisht se vizita e ministrit të Jashtëm nuk është zyrtare, por e karakterit privat “kjo s’do të thotë që kryediplomati serb të përpiqet në këto takime të krijojë artificialisht kauzën e një minoriteti serb në Shqipëri, i cili ka përmasa modeste, të cilave s’mund t’i jepet kurrfarë karakteri ndërkombëtar, dhe që mund të krijojnë probleme në marrëdhëniet dypalëshe.

“Serbia nuk mund të fitojë kauzat e humbura në histori me zgjerimin e hartës së minoritetit të vet atje ku nuk ekziston si në Libofshë, apo me bosnjakët e ardhur këtu gjatë apo pas Luftës së parë botërore. Do të ishte thyerje e mikpritjes diplomatike angazhimi në këtë drejtim, dhe Shqipëria nuk mund të tolerojë këtë për një kohë të gjatë.”- mbyll deklaratën e saj Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.
(sg/shqiptarja.com)