PDIU del kundër PS, voton pro
dekretit të Presidentit Nishani

PDIU del kundër PS, voton pro<br />dekretit të Presidentit Nishani
TIRANE- Votimi i kësaj të enjteje ka nxjerr dhe një herë në pah marrëdhënien jo të konsoliduar të PDIU-së brenda qeverisë. Pakënaqësitë e kësaj partie për zbatimin e marrëveshjes bashkëqeverisëse, janë reflektuar edhe në votimin e dekretit të presidentit për ligjin e pronave. Edhe pse gjatë seancës ka pasur disa takime të deputetëve çamë me nënkryetarin e grupit socialist, Taulant Balla, që është i ngarkuar nga Rama për të vijuar bisedimet e ndarjes së drejtorive me Idrizin, duket se ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për konsolidimin e qëndrimeve.

Kështu, dy nga deputetët e PDIU-së, Omer Mamo dhe Tahir Muhedini, nuk morën pjesë fare votim, duke u larguar nga seanca përpara ngritjes së kartonëve. Ndërkohë, Shpëtim Idrizi dhe Aqif Rakipi, votuan pro dekretit të Nishanit për pronat, duke dalë kështu kundër vendimit të mazhorancës, PS e LSI, që votoi kundër këtij dekreti. Dekreti u rrëzua me 28 vota pro, 71 kundër dhe një abstenim. Në këtë mënyrë, formula e re e prezantuar nga qeveria për procesin e përfundimit të kompensimit të pronave, ka ngelur në fuqi. Ulsi Manja, në emër të grupit të PS-së, i quajti politike argumentet e Nishanit.

“Në tërësinë e argumenteve politike që jep në tërësinë e relacionit të rikthimit të ligjit, Presidenti është përpjekur të japë dhe disa argumente juridike, për të cilat jam i bindur se do i ketë peshuar gjatë, se për fatin e mirë të Shqiptarëve, presidenti ynë është edhe jurist. Me këtë veprim është në të drejtën e tij kushtetuese, dhe ne e mirëkuptojmë. Por ne nuk e mirëkuptojmë dot se pse Presidenti shfrytëzoi limitin e fundit kohor për ta rikthyer mbas këtë ligj, duke i shkaktuar një dëm të rëndë ish pronarëve, por edhe interesit publik”-tha Manja. Oerd Bylykbashi në emër të demokratëve kërkoi reflektim për këtë ligj dhe votën pro Nishanit.

“Është një dekret nga më të argumentuarit që unë kam parë deri më sot, madje duke ju referuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Jo vetëm për gangrenën në të cilin gjenden pronat në Shqipëri, por edhe për mënyrën sesi ne nuk po gjejmë një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë për këtë cështje. Që të kënaqë në mënyrë përfundimtare këtë shtresë që u dhunua në mënyrë barbare 70 vjet më parë. Ajo që është më e rëndë, ju mirë që nuk lexoni dekretet e Presidentit fare, mirë që nuk lexoni vendimet e Strasburgut, por të paktën dëgjoni kolegët, sepse nesër mund të jeni ju që mund të shpronësoheni”-tha Bylykbashi.

Për këtë çështje, deputetja Vasilika Hysi, tha se dekreti i Nishanit, ka bllokuar Shqipërinë në raport me Komunitetin e Ministrave në KE, ku vendi ynë do të duhet të raportojë në 30 janar për ligjin dhe aktet normative.  


Selami: PD të kërkojë ndjesë, së bashku ta zgjidhim 
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami duke e cilësuar çështjen e pronës si problem të përbashkët, kërkoi nga mazhoranca të tërhiqet nga ligji që sipas tij e përkeqëson situatën. “Arsyeja që nuk është zgjidhur ky problem është se është një ligj shumë i komplikuar dhe nuk ka pasur vullnet politik. Dhe unë jam këtu për të kërkuar ndjesë, që po edhe Partia Demokratike është pjesë e këtij problemi të madh dhe fatkeqësisht ne nuk kemi arritur për ta zgjidhur këtë gjë. Le të shfrytëzojmë këtë dekret të Presidentit, le të ulemi, ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë me qëllim që të kemi një problem më pak për të ecur përpara”-tha deputeti demokrat, Eduard Selami.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital