TIRANE- Marrëveshja e nënshkruar mes kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe kryeministrit Rama për bashkëqeverisje dhe koalicion parazgjedhor ka përçarë deputetët e PDIU. Kështu pakënaqësitë për këtë marrëveshje, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri i ka konkretizuar dje duke vendosur të jetë në krah të kreut të opozitës Lulzim Basha.

Qëndrimin e tij, deputeti Tahiri e kishte paralajmëruar me deklaratat e tij që pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ramës e Idrizit, ndërkohë që me vendimin e djeshëm deputeti i PDIU-së, përbën largimin e parë drejt opozitës. Kreu i PDIU-së, Idrizi u shpreh i sigurt kur nënshkroi marrëveshjen për bashkëqeverisje me Ramën se edhe katër deputetët e forcës së tij politike do ta mbështesnin në këtë vendim.