Pas një takimi elektoral në Dibër, ku Doda ka edhe origjinën e hershme, ajo ishte protagoniste. Nga ajo ditë, bërja e Rrugës së Arbrit, u kthye thuajse në motiv të kësaj partie, duke bërë shkrime në disa media për këtë çështje, e disa herë duke replikuar përmes medias, me deputetin e Dibrës nga krahu i LSI-së, Përparim Spahiu. Ky i fundit, po ashtu, kohë përpara takimit të PDIU-së në Dibër, i kishte kërkuar qeverisë në disa raste mbajtjen e premtimit për këtë rrugë. Por ditën e djeshme, në Kuvend është depozituar një interpelancë, me kërkesë të Shpëtim Idrizit, i cili i kërkon Metës një përballje për këtë rrugë mes Edmond Haxhinastos, dhe Mesila Dodës. Ky faktorizim pritet të rritë kredibilitetin e kësaj deputeteje në këtë zonë. “Në mbështetje të nenit 96 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, paraqesim kërkesën tonë për interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në lidhje me ecurinë e punës në Rrugën e Arbrit.
Duke e konsideruar me rëndësi të jashtëzakonshme që ka ky projekt për Dibrën dhe gjithë zhvillimin e zonës verilindore, për fuqizimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare e njerëzore me të gjithë trevat e tjera të Shqipërisë; duke nënvizuar rolin tejet të rëndësishëm që ka ky projekt për përafrimin e shqiptarëve me banim në Maqedoni me shtetin amë dhe detyrimin kushtetues që ka shtetit shqiptar për përkujdesin ndaj tyre, kërkojmë të merren masa për zhvillimin e një interpelance sa më shpejt të jetë e mundur”-thuhet në kërkesën e Idrizit. Po ashtu, kërkohet që interpelanca të përqendrohet në dhënien e informacionit për disa pyetje rreth këtij investimi. “A do ta ndërtoni Rrugën e Arbrit? A do ta ndërtoni brenda këtij mandati Rrugën e Arbrit?
Sa fonde janë dhënë deri më tani për këtë rrugë dhe si është zgjidhur çështja e financimit të saj? Ku ka ngecur realizimi i këtij procesi dhe si është menduar të zgjidhet? Sa është dëmi që pësojnë banorët e zonës për mos përfundimin e infrastrukturës? Sa do e shkurtonte distancën e sotme ndërtimi i Rrugës së Arbrit? Edhe sa kohë do të duhet për të përfunduar Rruga c Arbrit? Ku jeni me premtimet e fushatës elektoralë dhe programin e qeverisë lidhur me këtë çështje? Interpelanca do të zhvillohet nga deputetja, Mesila Doda”-përfundon letra e Idrizit.
Redaksia Online
A.N shqiptarja.com