TIRANË – PDIU i kërkon INSTAT të ndërpresë përpunimin e të dhënave që lidhen me kombësinë nga procesi i rregjistrimit që u krye pak ditë më parë. Sekretari politik i PDIU, Ardian Tana, duke cituar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese tha se, INSTAT nuk mund të procedojë me shifra reale për pakicat.
“PDIU i kërkon institucioneve përgjegjëse, INSTAT në veçanti, të shpallin të pezulluar procesin e përpunimit të të dhënave të regjistrimit për të ashtuquajturën "kombësi"”, tha Tana.
Sipas tij edhe ligji ku janë mbështetur Gjendjet Civile gjatë këtij procesi ka qenë antikushtetues.
“PDIU pershendet nxjerrjen e rezultateve paraprake të censusit të popullsisë, shpallur nga INSTAT, por ndërkohë kërkon të konfirmojë qëndrimin e vet në lidhje me rezultatet e tij për të ashtuquajturat pakica etnokulturore në vendin tonë. Ky qëndrim yni reflekton vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për kombësinë si element i identitetit civil të qytetarit”, deklaroi përfaqësuesi i PDIU.