PDIU kundër Arta Dades për
Presidente: Është dritëshkurtër!

PDIU kundër Arta Dades për<br />Presidente: Është dritëshkurtër!
Lakimi i emrit të Arta Dades si kandidate e mundshme për presidente në korridoret politike dhe një mirëpritje apriori prej saj nëse do t’i vinte që propozim i tillë, ka evidentuar kundërshtarët e parë të saj.

PDIU nuk do ta mbështesë emrin e saj dhe arsyeja është një marrëdhënie e vështirë e deputetes me këtë parti prej më shumë se një viti. Qysh në zgjedhjet e Dibrës, e më pas në ato të Kolonjës, Dade tha se PDIU po rritet në kurriz të PS-së në mënyrë artificiale. Konflikti më i fundit u regjistruar me kundërshtimin e fortë që Dade i bëri nismës së PDIU-së për një komision të posaçëm parlamentar për vlerësimin e gjenocidit mbi çamët nga Greqia.

Deklarata e fundit të Dades se do të mirëpriste një propozim për presidente, shoqëruar me akuza të tjera për PDIU-në, u pasuan nga një kundërsulm nga kjo parti. Zëvendësministrja dhe nënkryetarja e PDIU-së, Vjollca Braho e ka quajtur Daden dritëshkurtër dhe ka thënë se nuk do të bëhet dot presidente me këtë qasje ndaj PDIU-së.

Vjollca Braho
Çështja çame dhe ajo kombëtare, janë çështje të të gjithë shqiptarëve pavarësisht faktit nëse e pranon apo jo ndonjë përfaqësues politik, apo kushdo qoftë tjetër! Ndjen keqardhje kur keqkuptimi vjen edhe nga zonja me përvojë në politikë, si znj. Arta Dade, e cila, përmes reagimeve të saj tregoi dritëshkurtësinë për të parë realitetin e ri politik. Ne nuk kërkojmë nga zonja Dade të vijë e të shohë aktivitetet e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, por të paktën të përpiqet të kuptojë përse kjo forcë politike po rritet ndjeshëm në skenën e politikës shqiptare.

PDIU ka treguar gjatë këtyre tre viteve se ka qenë një pjesëtare e denjë e koalicionit qeverisës, duke mbështetur me votat e saj të gjitha reformat që janë ndërmarrë nga qeveria dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo nisëm që ndërmerret në të mirë të qytetarëve shqiptare, pavarësisht se nuk ka marrë ende atë që meriton prej saj. Zonja Dade mund të kërkonte ndjesë që si ish ministre e Jashtme dhe si Kryetare aktuale e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, jo vetëm që nuk ka folur asnjë fjalë për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe ka votuar kundër Rezolutës Çame.

Por fatkeqësisht nuk e ka bërë! Dhe sot rishfaqet në skenë si kundërshtarja më e ashpër e atyre 300 mijë çamëve që falë punës dhe përpjekjes së PDIU-së kanë rifituar shpresën për marrë dinjitetin që iu është nëpërkëmbur nga politikanë si znj. Dade. Të qenit President i Republikës është kulmi i karrierës së një politikani, por Znj. Arta Dade nuk do ta arrijë dot duke sulmuar PDIU-në sepse ashtu e kanë urdhëruar ata që e kanë frikë rritjen e saj.

PDIU është një parti që nuk ka frikë nga sfidat sepse mbështet një kauzë të drejtë dhe këtë e kanë treguar votat që ka marrë në të gjithë Shqipërinë. Këtë do e faktojë edhe njëherë në zgjedhjet parlamentare të muajit qershor ku do të dyfishojë rezultatin e saj. Për të mirën e shqiptarëve dhe të zezën e atyre që janë mësuar ta marrin pushtetin vetëm për ta vjelë!

Idrizi
Edhe kryetari i forumit rinor të PDIU-së, Albano Idrizi ka reaguar për këtë çështje. Ai i ka kujtuar Dades se gjykimi do të bëhet një ditë pas zgjedhjeve të qershorit. “Sërish Arta Dade. Duket se nuk i del e keqja me PDIU-në. Uroj që këto muaj t’i kaloj me mendimin e saj të vjetër. Qytetaret shqiptarë do të flasin sërish me votën e tyre në 18 Qershor. Shkruhemi sërish në 19 Qershor. P.s. E vërteta vonon por nuk harron”,-shkruan Idrizi në rrjetet sociale.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve

Borrell propozon sanksionimin e zyrtarëve izraelitë për shkak të dhunës së kolonëve