PDIU përshëndet marëveshjet mes
Shqipërisë e Kosovës: Duhen vepra

PDIU përshëndet marëveshjet mes<br />Shqipërisë e Kosovës: Duhen vepra
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përshëndetur marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Në një deklaratë për mediat PDIU thekson se marrëveshjet janë të mira, por duhen vepra konkrete. Sipas kësaj force politike duhet forum i përhershëm dialogu midis dy qeverive dhe biznesit. PDIU thekson nevojën e një strategjie të përbashkët zhvillimi kombëtar sipas prioriteteve të zonave të ndryshme. 


Deklarata e plotë e PDIU

Sot në Tiranë u mbajt mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, në një format të përvitshëm dhe u nënshkruan njëmbëdhjetë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Si partia e parë shqiptare e cila e ka përfshirë në programin e vet politik projektin e Komunuelthit ekonomik kombëtar, si një organizim që i shërben rritjes së mirëqenies kombëtare, PDIU e vlerëson takimin në fjalë, por mendon se është vendi të bëhen disa vërejtje. Marrëveshjet në vetëvete janë hap i mirë, por duhen vepra konkrete dhe mekanizma monitorues të realizimit të tyre. Ka kaluar afro një vit e gjysmë nga fillimi i punës së kësaj qeverie që e shpalli si prioritet institucionalizimin e bashkëpunimit me Kosovën dhe nuk kemi rritje të ndjeshme të vëllimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat. Serbia vazhdon të mbetet partner kryesor tregëtar i Kosovës dhe Maqedonia vazhdon të jetë gjithashtu partner kryesor i dy vendeve tona. Ky realitet i imponuar nga interesa jo thjesht tregëtarë duhet të ndryshohet jo thjesht për hir të patriotizmit ekonomik, por dhe për shkak të dobisë së përbashkët. PDIU mendon se ka ardhur koha të krijohet një Forum permanent i dialogut të biznesit me dy qeveritë në funksion të krijimit të realiteteve të përbashkëta për zhvillim. Ky Forum duhet të ushqejë qeverinë me ide, projekte, politika të ndryshme që të rrisin bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Është jorealiste të mendosh se ky fluks idesh, projektesh dhe politikash mund të vijë nga administratat e fjetura dhe të pakualifikuara të dy vendeve tona. Qeveritë nuk e zhvillojnë veprimtarinë e tyre larg jetës, në zyra të mbyllura, por ato duhet të komunikojnë me biznesin, me akademinë, me diasporën. PDIU mendon se ky Forum nëpërmjet një qendre kërkimore ad hoc, duhet të formulojë, të konsultojë një strategji mbarëkombëtare zhvillimi, e cila duhet të përcaktojë prioritetet e zhvillimit të gjithë hapësirës kombëtare. Vetëm zhvillimi harmonik sipas këtyre prioriteteve do të na bënte kompetitivë në rajon dhe më gjerë, do na mundsonte shfrytëzimin efektiv të burimeve tona natyrore, me të cilat na ka bekuar perëndia. PDIU beson se duhen krijuar institucione të përbashkëta të këtij bashkëpunimi jo thjesht në nivel ekzekutiv, por dhe në atë parlamentar, të biznesit, të shoqërisë civile, etj.
 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Rama i kthehet aktivitetit të përditshëm

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Rama i kthehet aktivitetit të përditshëm