TIRANË - PDIU ka akuzua shtetin grek se po bën një lojë jo serioze sa i përket kushtëzimit grek për toponimet. Partia çame thotë se qeveritë duhet të gjenë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, dhe të mos krijohen probleme të reja për emigrantët shqiptarë që rinovojnë dokumentet greke.

“Greqia luan me çështjen e toponimeve në mënyrë joserioze për një shtet të Bashkimit Europian. Nga njëra anë, pranon se do gjendet zgjidhje, nga ana tjetër bën presion mbi emigrantët shqiptarë”, thuhet në një njoftim nga PDIU-ja.

“Shqipëria dhe Greqia duhet të gjejnë një zgjidhje përfundimtare në lidhje me këtë problem. PDIU ka mësuar me shqetësim krijimin e një problemi të ri për bashkatdhetarët tanë që rinovojnë dokumentet greke mbi bazën e dokumenteve shqiptare që kanë toponimet në shqip”,- vijon deklarata.

Në vijim, PDIU thotë se pala greke i referohet vetëm një ane problematike të çështjes së toponimeve, atë të kalimit të kufirit.

“Ajo s’mund të premtojë për një çështje si kjo e toponimeve, vetëm për një aspekt problematik të saj- kalimin e kufirit, por për të gjithë gamën e problemeve që mund të krijoheshin”, -thuhet në deklaratë.

Sipas PDIU-së, dy shtetet, ai shqiptar dhe ai grek duhet ta zgjidhin në themel të gjithë problematikën që mund të krijohet duke u mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar.

Redaksia Online
(e.sh./mag/shqiptarja.com)