Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kundërshton mënyrën se si u konstituua Kuvendi dhe kërkon vendosjen e një mase të përkohshme deri në shqyrtimin e çështjes.
“Konfirmojmë dorëzimin e kërkesës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përkitazi me konstituimin e Kuvendit”, tha Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për RTV21.
Më herët gjatë ditës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se partia pret që Gjykata të vendosë masë të përkohshme për të shmangur pasoja juridike dhe institucionale.
PDK kundërshton procesin që çoi në shpalljen e Kuvendit të konstituuar, duke argumentuar se janë shkelur afatet kushtetuese dhe procedurat parlamentare. Sipas saj, për pasojë vihet në diskutim edhe ligjshmëria e votimit të Qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti.
Lajmi kryesor:
PDK sfidon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë së Kosovës, Kurti thirrje partive: Të zgjedhim presidentin, do ishte e pafalshme të shkonim në zgjedhje!









